Mianmari përshkallëzon protestat kundër “diktaturës”, protestuesit me tre gishta lart kundër ushtrisë

Azia

Mianmari përshkallëzon protestat kundër “diktaturës”, protestuesit me tre gishta lart kundër ushtrisë

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 09:33
Protesta

Po rritet revolta popullore kundër grushtit ushtarak në Mianmar, dhe ajo ka nisur të shfaqet përditë me protesta në qytetet e mëdha të vendit. Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje ushtrisë të dorëzojë pushtetin dhe të mos i shtypë protestat qytetare.

Mijëra qytetarë marshuan sërish të dielën në Mianmar, për të kërkuar largimin e ushtrisë të ardhur me forcë në pushtet dhe lirimin e lidershipit të mëparshëm.

Me gjithë masat për të frenuar mobilizimin popullor duke bllokuar internetin, banorët u bënë bashkë në qytetin e madh të Jangonit.

Në duar mbanin fotot e kryeqeveritares së arrestuar, Aun San Su Çi, ndërsa me parullat për demokraci dhe me tre gishtat lart denoncuan simbolikisht diktaturën e re.

“Është e padrejtë kjo që po ndodh. Duhet të ngrihemi si popull. Nuk e pranojmë diktaturën ushtarake në 2021-in sepse nuk duam të kthehet ajo e 1988-ës.”

“Nuk është akoma një grevë e përgjithshme por njerëzit, studentët po na bashkohen gradualisht. Kemi vendosur të luftojmë deri në fund me jetën, për brezin tonë.”

Mianmari dhe rreth 50 milionë banorët e tij gjenden para skenarit të grushtit ushtarak, pasi partia e opozitës ku ushtria militon, arrestoi krerët e qeverisë dhe presidentin e vendit me arsyen e manipulimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Kryeqeveritarja Sun Çi me partinë e saj mori mbi 80 për qind të votave në muajin nëntor dhe ka mbështetjen brenda dhe jashtë vendit.

Mianmari tentoi tranzicionin drejt demokracisë në 2011-n, pasi ushtria birmane e kishte mbajtur pushtetin për gati 50 vitet e kaluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat