HRW: Mohimi i të drejtave bazike të grave në Afganistan, krim kundër njerëzimit

Azia

HRW: Mohimi i të drejtave bazike të grave në Afganistan, krim kundër njerëzimit

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 16:25
Dy gra afgane të veshura me burka në Afganistan.

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut Human Rights Watch (HRW) ka thënë se autoritetet e talibanëve në Afganistan janë duke kryer krim kundër njerëzimit kur është fjala për trajtim të grave dhe ka bërë thirrje për hetime ndërkombëtare për të mundësuar llogaridhënie.

Prej rrëzimit të Qeverisë afgane, të përkrahur nga Perëndimi, dhe marrjes së pushtetit në gusht të vitit 2021, talibanët kanë vendosur kufizime në paraqitjen fizike të grave, lirinë e lëvizjes, të drejtën për të punuar apo studiuar dhe qasjen në aktivitete tjera.

HRW ka thënë në raportin e lëshuar më 8 shtator se ndonëse edhe burrat në Afganistan kanë qenë subjekte të “shkeljeve serioze” të të drejtave të njeriut, diskriminimi i madh kundër grave është më evident.

Sipas grupit për të drejta të njeriut, “sulmet sistematike kundër grave” përbëjnë “krim kundër njerëzimit përmes persekutimit të grave dhe vajzave”.

Grave dhe vajzave afgane u është pamundësuar edukimi pas shkollës fillore dhe atyre u lejohet të punojnë në shumë pak profesione.

Ato as nuk mund të udhëtojnë pa qenë në shoqëri të një familjari burrë.

Sa i përket pamjes fizike, grave afgane u kërkohet të mbulohen tërësisht kur të dalin nëpër rrugë.

Në një raport të Kombeve të Bashkuara, të publikuar në korrik, është thënë se situata e grave dhe vajzave në Afganistan, është më e keqja në botë dhe se kufizimet sistematike ndaj grave dhe vajzave përbëjnë “aparteid gjinor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat