LIVE: Netanyahu vjen me një paralajmërim të rëndë: S’do të ketë armëpushim në Gazë, është koha për luftë

Azia

LIVE: Netanyahu vjen me një paralajmërim të rëndë: S’do të ketë armëpushim në Gazë, është koha për luftë

Nga: Bota sot Më: 30 tetor 2023 Në ora: 06:27 Përditësuar në ora: 20:14 më 30.10.2023
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Netanyahu: S’do të ketë armëpushim në Gazë, është koha për luftë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se nuk do të pranojë armëpushim në Rripin e Gazës, duke shtuar se një gjë e tillë “do të nënkuptonte dorëzim para barbarizmit dhe terrorizmit” të grupit militant palestinez, Hamas.

Netanyahu u kërkoi vendeve të tjera gjatë një konference për media të hënën vonë që të ndihmojnë më shumë në përpjekjet për t’i liruar më shumë se 230 pengjet e rrëmbyera nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit në qytetet e Izraelit jugor.

Lideri izraelit tha se komuniteti ndërkombëtar duhet patjetër të kërkojë që pengjet “të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht”.

Ai tha se në mesin e të rrëmbyerve janë 33 fëmijë dhe se Hamas po “i terrorizon ata duke i mbajtur si pengje”.

“Sikur Shtetet e Bashkuara që nuk do të pajtoheshin për një armëpushim pas sulmit në Pearl Harbor, apo pas sulmit terrorist të 11 shtatorit, as Izraeli nuk do të pajtohet për armëpushim me Hamasin, pas sulmeve të tmerrshme të 7 tetorit”, tha Netanyahu para gazetarëve të huaj.

“Thirrjet për një armëpushim janë thirrje që Izraeli t’i dorëzohet Hamasit, t’i dorëzohet terrorizmit, t’i dorëzohet barbarizmit. Kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai.

Duke u zotuar se Izraeli do të luftojë “derisa kjo betejë të fitohet”, Netanyahu tha se ushtria po bën përpjekje të mëdha “për ta parandaluar vrasjen e civilëve” në Gazë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, thotë se së paku 8.306 njerëz, kryesisht civilë, janë vrarë si pasojë e bombardimeve dhe sulmeve me artileri nga Ushtria e Izraelit prej se shpërtheu lufta më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulme të përgjakshme dhe tronditëse në jug të Izraelit, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Netanyahu: Nuk ka ndërprerje të luftimeve me Hamasin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë çdo thirrje për një armëpushim ose ndërprerje të armiqësive me Hamasin.

Deklaratën, Netanyahu e dha nënjë konferencë për shtyp në Tel Aviv, shkruan Al Jazeera.

Ushtria izraelite deklaroi  se ka vazhduar operacionet e saj tokësore në Rripin e Gazës, gjatë orëve të fundit.

Izraeli pretendon se ka shkatërruar infrastrukturën e Hamasit, duke përfshirë pozicionet antitank dhe ato të lëshimit.

Katër komandantë të lartë të Hamasit, përfshirë kreun e forcës detare të grupit, u vranë.

Ndërkaq, bilanci i viktimave në Gaza ka kaluar në mbi 8 mijë.

Videoja e verifikuar tregon tankun që duket duke gjuajtur në makinë në rrugën në jug të qytetit të Gazës

BBC ka verifikuar më herët këtë pamje të një tanku në rrugën Salah-al-Din, në jug të qytetit të Gazës. Duket se ka qëlluar në një makinë dhe kjo pasohet nga një shpërthim.

Gazetari ynë në Gaza, Rushdi Abualouf, thotë se rruga tani është e hapur dhe nuk është më e bllokuar.

Djali i themeluesit të Hamasit godet Hamasin

Masakra e izraelitëve nga Hamasi, një popull i ngarkuar me trauma nga Holokausti, “hapi dyert e ferrit mbi popullin palestinez”.

Mosab Hassan Yousef, djali i një themeluesi të Hamasit (Sheikh Hassan Yousef), sulmoi organizatën terroriste dhe mbështetësit e saj perëndimorë në emisionin “Uncensored” të moderatorit të njohur anglez, Piers Morgan.

I njohur gjithashtu si “Princi i Gjelbër”, Yousef u shfaq pas një morie të ftuarish të tjerë palestinezë që ishin ftuar për të dhënë perspektivat e tyre mbi luftën Izrael-Hamas.

Masakra e kryer nga Hamasi ndaj  izraelitëve, një populli të ngarkuar me trauma nga Holokausti, “hapi portat e ferrit mbi popullin palestinez”, duke demonstruar gatishmërinë e Hamasit për të sakrifikuar fëmijët dhe civilët palestinezë, tha Yousef.

“Ky është mesazhi im si ish-anëtar i Hamasit, si biri i njërit prej themeluesve të Hamasit: mjaft! Nëse nuk i ndalojmë tani, lufta e ardhshme do të jetë më vdekjeprurëse.”

Yousef ka folur prej kohësh publikisht për përvojat e tij duke u rritur në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor si djali i Hassan Yousef, një bashkëthemelues i Hamasit; duke u burgosur dhe duke u bërë një informator dhe më vonë avokues i Izraelit.

Autobiografia e tij e vitit 2010, “Biri i Hamasit”, dhe adaptimi i mëvonshëm i filmit, “Princi i Gjelbër”, (e gjelbërta është ngjyra e Hamasit) detajon këto përvoja.

Ai ka folur gjithashtu për mediet në disa raste, duke përfshirë fjalimin e tij në Konferencën Vjetore të Jerusalem Post 2019, dhe për OJQ-të si fjalimi i tij i vitit 2017 në një debat të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për UN Ëatch.

Morgan hapi bisedën duke e pyetur Yousef se cilat ishin qëllimet e Hamasit kur u krijua dhe në fillet e saj.

“Hamasi do vetëm shkatërrimin e Izraelit”

“Që nga themelimi i saj, Hamasi ka [kishte] një qëllim në mendje, që është asgjësimi i Shtetit të Izraelit,” tha Yousef. Ai vazhdoi duke thënë: “Nuk është sekret që Hamasi dëshiron të shkatërrojë Shtetin e Izraelit. Ata nuk mund ta pranojnë Izraelin apo të pranojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.”

Lidhur me masakrën e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, Yousef tha se ndërsa ishte zënë në habi nga shkalla e sulmit, ai nuk ishte i befasuar nga brutaliteti i Hamasit.

Në përgjigje të një pyetjeje të mëvonshme në lidhje me atë pjesë të palestinezëve të Gazës që simpatizonin ose mbështesnin Hamasin, aktivisti palestinez pohoi se kur Hamasi të përmbytet përfundimisht, jo vetëm që Gazanët do të festonin, por ata do ta falënderonin Izraelin për këtë.

Morgan më vonë pyeti për përgjigjen e Yousef ndaj aktivistëve pro-palestinezë që fajësojnë Izraelin për konfliktin.

“Që nga fëmijëria ime, kam dëgjuar histori nga [ata që janë] pro-palestinezët dhe nga ata që përdorin të ashtuquajturën “kauza palestineze”. Ata kujdesen më së paku për fëmijët palestinezë dhe të ardhmen e tyre. Unë jam përfaqësuesi legjitim i fëmijëve palestinezë. Fëmija brenda meje flet!”

Në një referencë të qartë ndaj të ftuarve mbështetës të Hamasit, të cilët u shfaqën në programet e mëparshme të emisionit të Piers Morgan, të tillë si predikuesi islamik i YouTube, Mohammad Hijab dhe reperi britanik Loëkey, Yousef shtoi, “Unë nuk dua që dikush të vijë nga Londra ose dikush nga ana tjetër e botës për të më thënë se cila është beteja apo vuajtja e fëmijëve palestinezë.

Fëmijët palestinezë, shoqëria palestineze janë rrëmbyer nga këta kriminelë dhe kushdo që mban anën e tyre merr pjesë në krimet e tyre.”

Ai e bëri dallimin ndërmjet mënyrave të luftimit nga ana e Izraelit dhe nga ana e Hamasit, duke vënë në dukje se ndërsa Hamasi përdor mburoja njerëzore dhe vendos postblloqe për të parandaluar ikjen e civilëve, Izraeli kërkon të paralajmërojë Gazanët përpara se të ndodhë një sulm ajror.

“Ne nuk kemi nevojë për një regjim tjetër të korruptuar arab”

“Mjaft gjakderdhje dhe mjaft përfshirje nga njerëz që nuk u intereson se çfarë po ndodh. Ata janë vetëm luftëtarë në tastierë. Ata thjesht po sulmojnë kryeqytetet botërore duke thënë: “Liro Palestinën!” Palestina e lirë!’ Ata nuk e dinë se çfarë dreqin është Palestina! Unë jam Palestina! Dhe ajo që them është ‘mjaft, Hamas!’”, tha ai.

“Ne nuk duam një shtet palestinez, unë nuk dua një shtet palestinez. Fëmijët palestinezë kanë nevojë për arsim, kanë nevojë për siguri, kanë nevojë për jetë. Kjo është ajo që ata kanë nevojë, ata nuk kanë nevojë për një regjim tjetër të korruptuar arab.”

Morgan më pas pyeti nëse izraelitët po merrnin rrugën më të mirë të veprimit ose nëse sulmet ajrore dhe pushtimi i ardhshëm tokësor rrezikonin të radikalizonin më shumë të rinj palestinezë.

“Dëgjo,” tha Yousef. “Ne do ta largojmë Hamasin nga pushteti. Mbaji mend fjalët e mia. Hamasi nuk solli vetëm zemërimin e Izraelit mbi Gazën. Hamasi solli zemërimin e Zotit. Ne do t’i heqim nga pushteti dhe do t’i ndjekim liderët e tyre dhe do t’i nxjerrim para drejtësisë. Dhe bota do të jetë dëshmitare e ndëshkimit të tyre dhe kushdo që mban anën e tyre sot, në këtë gjendje konfuzioni, duke menduar se kjo është një shaka, unë u them atyre njerëzve se do të pendoheni që keni marrë anën e Hamasit. Do të pendoheni që keni marrë anën e atyre kriminelëve që po vrasin popullin palestinez”.

Izraeli zgjeron sulmet tokësore mes frikës në rritje për sulmet ajrore pranë spitaleve në Gaza

Trupat dhe automjetet e blinduara izraelite depërtuan më thellë në veri të Rripit të Gazës të hënën, ndërsa Kombet e Bashkuara dhe personeli mjekësor paralajmërojnë se sulmet ajrore po godasin më afër spitaleve, ku dhjetëra mijëra palestinezë kanë kërkuar strehim së bashku me mijëra të plagosur.

Shtimi i operacioneve tokësore ndodhi një ditë pasi 33 kamionë që transportonin ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera hynë në Gaza nga Egjipti, autokolona më e madhe e ndihmave humanitare që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Punonjësit humanitar thanë të hënën se ndihma ishte ende shumë larg nevojave në Gaza, e cila ndodhet nën rrethim për javë të tëra.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se numri i të vdekurve mes palestinezëve arriti në mbi 8,000 veta, kryesisht gra dhe të mitur, ndërsa tanket dhe këmbësoria izraelite po kryejnë atë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti një "fazë të dytë" në luftën e nxitur nga sulmi brutal i Hamasit më 7 tetor.

Numri i viktimave është i pashembullt në dekadat e dhunës izraelito-palestineze. Mbi 1,400 veta, kryesisht civilë, u vranë në anën izraelite gjatë sulmit fillestar, gjithashtu një shifër e pashembullt.

Forcat izraelite dukej se po futeshin më thellë në Gaza nga veriu. Një video e publikuar të hënën nga ushtria shfaqi automjete të blinduara që lëviznin mes ndërtesave dhe ushtarët që zinin pozicione brenda një shtëpie. Vendndodhja e saktë nuk dihej, por pamjet ushtarake të shtunën shfaqën trupat që lëviznin nëpër zona të zbrazëta ranore pranë kufirit verior të Gazës.

Ushtria tha të hënën se gjatë natës trupat e saj kishin vrarë dhjetëra militantë që sulmuan nga brenda ndërtesave dhe tuneleve dhe kishin shkatërruar një ndërtesë që Hamasi e përdorte si fortesë. Ushtria izraelite tha ditët e fundit kishte goditur më shumë se 600 objektiva militantë, duke përfshirë depo armësh dhe pozicione lëshimi të raketave antitank. Raportet për shënjestrat nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se militantët e tij u përleshën me trupat izraelite që hynë në pjesën veriperëndimore të Rripit të Gazës me armë të lehta dhe predha antitank. Militantët palestinezë kanë vazhduar të hedhin raketa drejt Izraelit, duke përfshirë Tel Avivin.

Të dielën, autokolona më e madhe e ndihmave humanitare deri më tani, 33 kamionë, hyri në Gazën jugore nga Egjipti. Punonjësit e ndihmës thonë se sasia është ende shumë më e vogël se ajo që nevojitet në territor, ku popullsia prej 2.3 milionë banorësh është duke mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant pas javësh nën rrethimin izraelit.

Të shtunën, turma njerëzish hynë në katër depo të Kombeve të Bashkuara dhe morën furnizime ushqimore në atë që OKB-ja e quajti një shenjë se rendi civil po rrënohej mes dëshpërimit në rritje.

Rrethimi izraelit e ka rrënuar pothuajse infrastrukturën në Gaza. Pa energji elektrike për javë të tëra, spitalet po përpiqen të mbajnë në punë gjeneratorët e urgjencës për të vënë në funksion inkubatorët dhe pajisjet e tjera që shpëtojnë jetën. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRËA, është përpjekur të mbajë në punë pompat e ujit dhe furrat e bukës. Javën e kaluar, zyrtarët e OKB-së thanë se shkalla e urisë po rritej.

Numri i kamionëve me ndihma u rrit pasi presidenti amerikan Joe Biden i theksoi kryeministrit izraelit Netanyahu “nevojën për të rritur menjëherë dhe në mënyrë të konsiderueshme hyrjen e ndihmave humanitare”, thanë zyrtarët amerikanë.

Izraeli gjithashtu hapi dy linja furnizimi me ujë Gazën jugore gjatë javës së kaluar, tha autoriteti ushtarak izraelit përgjegjës për çështjet civile palestineze. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk mundi të vërtetojë në mënyrë të pavarur nëse linjat ishin në punë.

Komunikimet u rivendosën të dielën për shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës. më shumë se një ditë pa shërbime telefonike dhe të internetit.

Ndërkohë, spitalet e mbushura me njerëz në Gazën veriore u gjetën nën kërcënim në rritje. Sulmet goditën pranë spitaleve Shifa dhe Al Quds të qytetit të Gazës dhe spitalit indonezian në Gazën veriore ditët e fundit, thanë zyrtarë të OKB-së dhe banorët lokal të hënën.

Të 10 spitalet që veprojnë në veri të Gazës janë urdhëruar të evakuohen ditët e fundit, tha zyra e OKB-së për bashkërendimin e çështjeve humanitare. Personeli ka refuzuar të largohet, duke thënë se evakuimi do të nënkuptonte vdekjen për pacientët që janë të lidhur në ventilatorë.

Dhjetëra mijëra civilë janë strehuar në spitalin Shifa, më i madhi në territor. Izraeli akuzon Hamasin se ka një komandë të fshehtë nën spital, por nuk ka dhënë shumë prova. Hamasi i mohon akuzat.

Sulmet goditën afro 50 metra nga spitali Al Quds, pasi ai mori dy telefonata nga autoritetet izraelite të dielën duke urdhëruar evakuimin, tha shërbimi i shpëtimit të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, sipas të cilit 14,000 njerëz janë strehuar atje.

Rreth 20,000 njerëz janë strehuar në Spitalin Nasser në qytetin jugor Khan Younis, tha drejtori i urgjencës Dr. Mohammed Qandeel.

"Unë i solla fëmijët e mi për të fjetur këtu", tha një banore e zhvendosur që u identifikua si Umm Ahmad. “Dikur kisha frikë për fëmijët e mi që luanin në rërë. Tani duart e tyre janë të pista me gjakun në dysheme”.

Përshkallëzimi ka rritur trysninë e brendshme mbi qeverinë e Izraelit për të siguruar lirimin e 239 pengjeve të kapur nga luftëtarët e Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit.

Hamasi thotë se është gati të lirojë të gjithë pengjet nëse Izraeli liron të gjithë mijëra palestinezët e mbajtur në burgjet e tij. Anëtarët e dëshpëruar të familjeve të pengjeve izraelite u takuan me kryeministrin Netanyahu të shtunën dhe shprehën mbështetjen për një shkëmbim. Izraeli e ka hedhur poshtë ofertën e Hamasit.

“Nëse Hamasi nuk ndjen trysninë ushtarake, asgjë nuk do të lëvizë përpara”, u tha të dielën familjeve të pengjeve ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant.

Ushtria izraelite nuk i ka quajtur operacionet e saj tokësore që po zgjerohen brenda Gazës, një pushtim në shkallë të gjerë.

Izraeli thotë se po vë në shënjestër luftëtarët dhe infrastrukturën e Hamasit dhe se militantët veprojnë mes civilëve, duke i vënë ata në rrezik.

Luftimet kanë ngritur shqetësimin se dhuna mund të përhapet në gjithë rajonin. Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah. janë përfshirë në përleshje të përditshme përgjatë kufirit verior të Izraelit.

Në Bregun Perëndimor, të paktën katër palestinezë u vranë në përleshjet e së hënës midis forcave izraelite dhe palestinezëve në Jenin, skenë e bastisjeve të përsëritura izraelite në kërkim të personave të armatosur. Që nga e diela, forcat izraelite dhe kolonët vranë 115 palestinezë, duke përfshirë 33 të mitur, në Bregun Perëndimor, gjysma e tyre gjatë operacioneve izraelite të kërkim-arrestimit, tha agjencia e OKB-së për Bashkërendimin e Ndihmës Humanitare.

Ushtria izraelite tha herët të hënën se avionët e saj goditën infrastrukturën ushtarake në Siri, pasi raketat nga atje ranë në territorin izraelit.

Sipas ushtrisë së Izraelit rreth 250,000 izraelitë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës përgjatë kufirit me Gazën dhe kufirit verior me Libanin./VOA

Izraeli thellon sulmin ushtarak në veri të Rripit të Gazës

Trupat izraelite dhe autoblindat kanë hyrë më thellë në veri të Rripit të Gazës më 30 tetor, duke arritur në zonat e banuara. Ndërkaq, Kombet e Bashkuara dhe stafi shëndetësor kanë paralajmëruar se sulmet ajrore po godasin më afër spitaleve, ku dhjetëra mijëra palestinezë janë strehuar dhe ku po trajtohen mijëra të plagosur.
Intensifikimi i operacioneve tokësore u bë një ditë pasi 33 kamionë me ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera hynë në Gazë nga Egjipti.

Kjo është ndihma më e madhe humanitare që është dërguar në Rripin e Gazës që kur ka nisur lufta ndërmjet Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit. Por, punëtorët e ndihmës thanë të hënën se megjithatë ndihma nuk është e mjaftueshme për nevojat në Gazë, që është nën rrethim për javë të tëra.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i palestinezëve të vrarë ka kaluar shifrën prej 8.000. Kjo ministri tha se shumica e viktimave janë gra dhe të mitur.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi se ka nisur “faza e dytë” e luftës, pasi Hamasi nisi sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1.400 persona, shumica civilë.

Në një video të publikuar të hënën nga ushtria izraelite shiheshin autoblinda duke lëvizur në mesin e ndërtesave në veri të Gazës dhe ushtarët duke u vendosur në pozicione brenda një shtëpie. Lokacioni i saktë se ku është incizuar videoja nuk dihet, por pamjet e publikuara të shtunën nga ushtria tregonin trupat duke ecur nëpër zona të zbrazura afër kufirit në veri të Gazës.

Ushtria izraelite tha të hënën se gjatë natës trupat e saj kanë vrarë dhjetëra militantë që sulmuan nga brendësia e ndërtesave dhe tuneleve, duke shtuar se sulmet ajrore kanë shkatërruar një ndërtesë që po e përdorte Hamasi. Po ashtu, ushtria tha se në ditët e fundit ka shënjestruar mbi 600 caqe militante, përfshirë depo të armëve dhe pozicione të raketahedhësve. Këto pretendime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Krahu ushtarak i Hamasit tha se militantët janë përleshur me armë të vogla dhe raketa kundërtanke me trupat izraelite që hynë në veriperëndim të Rripit të Gazës. Militantët palestinezë kanë vazhduar të hedhin raketa në Izrael, përfshirë një drejt Tel Avivit.

Linjat e komunikimit janë rikthyer për shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës të dielën, pasi për më shumë se një ditë ata mbetën pa shërbime të telekomunikacionit dhe internetit, pas bombardimeve të ashpra.

Izraeli tha se shumica e banorëve të Gazës i janë bindur urdhrit të tij për t’u larguar në pjesën jugore të territorit të rrethuar, por qindra mijëra vazhdojnë të jenë në veri, pjesërisht për shkak se Izraeli po ashtu po sulmon në zonat e ashtuquajtura të sigurta.

Më shumë se 1.4 milion persona në Gazë janë larguar nga shtëpitë e tyre që kur ka nisur lufta.

Rrethimi i Gazës nga Izraeli ka bërë që infrastruktura në këtë territor të jetë buzë kolapsit. Për javë të tëra, Rripi i Gazës nuk ka energji elektrike dhe spitalet po kanë vështirësi që të operojnë, duke përdorur gjeneratorë për të mbajtur në punë inkubatorët dhe pajisjet kryesore.

Kombet e Bashkuara thanë, po ashtu, se në Rripin e Gazës nuk ka furnizime të mjaftueshme me ujë.

SHBA-ja i ka kërkuar Izraelit që menjëherë të rrisë hyrjen e ndihmave humanitare për banorët në Gazë dhe Izraeli ka thënë se shumë shpejt do të lejojë që në territor të hyjë më shumë ndihmë, pa specifikuar se sa.

Elad Goren, kreu i çështjeve civile në COGAT – trup i mbrojtjes izraelite që është përgjegjës për çështjet e civilëve palestinezë – tha po ashtu se Izraeli ka hapur dy linja të ujit në jugun e Gazës. Këto pretendime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Ndërkaq, është rritur rreziku për spitalet e stërmbushura në veri të Gazës. Kombet e Bashkuara thanë më 30 tetor se ka pasur sulme afër spitalit Shifa në Qytetin e Gazës dhe Al-Kuds në veri të Gazës.

Të dhjetë spitalet që ende po punojnë në veri të Gazës kanë marrë urdhër për evakuim ditëve të fundit, tha OKB-ja. Sipas OKB-së, përveç pacientëve dhe stafit, afër 117.000 persona të zhvendosur janë në këto spitale.

Banorët kanë raportuar të dielën për sulme ajrore afër spitalit Shifa, që është spitali më i madh në Rripin e Gazës. Izraeli akuzoi Hamasin se ka një qendër komanduese poshtë spitalit, por nuk dha dëshmi për këtë pretendim. Hamasi i mohoi këto akuza.

Sulmet ajrore kanë goditur 50 metra larg spitalit Al-Kuds, pasi autoritetet e spitalit të dielën pranuan dy thirrje nga autoritetet izraelite për evakuim, tha Gjysmëhëna e Kuqe palestineze. Sipas kësaj organizate, 14.000 persona po strehohen në këtë spital.

Ndërkaq, luftimet midis Izraelit dhe Hamasit kanë rritur shqetësimet se konflikti mund të përhapet në rajon. Izraeli dhe grupi militant Hezbollah në Liban janë përleshur përgjatë kufirit verior izraelit.

Po ashtu të hënën, ushtria izraelite tha se avionët e saj kanë sulmuar infrastrukturën ushtarake në Siri pasi nga ajo pjesë janë hedhur raketa në territorin e Izraelit.

Afër 250.000 izraelitë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës përgjatë kufirit me Gazën dhe në kufirin verior me Libanin, ka thënë ushtria izraelite./REL

Ish-drejtori i CIA-s: Hamasi duhet të shkatërrohet, nuk bën negociata

Ish-drejtori i CIA-së, David Petreaus ka folur në lidhje me luftën Izrael-Palestinë që filloi më 7 tetor, ku ka marrë qindra jetë njerëzish, mes tyre dhe fëmijë.

Ai theksoi se Hamas duhet të shkatërrohet ndërsa shtoi se Izraeli duhet të dalë me një plan pas lufte.
Petreaus e cilësoi Hama sis një grup që nuk është në gjendje të bëjë negociata e as të pajtohet.

“Ajo që duket e qartë është se shpërqendrimi nga Hamas pasi Izraeli i kishte krijuar kushtet me forcë ajrore dhe me drone, duhet të shkonin shtëpi më shtëpi në përpjekje për të shkatërruar një armik. Unë bie dakord me lidershipin e Izraelit se Hamas duhet të shkatërrohet. Ky është një grup ekstremist, nuk janë në gjendje për të bërë negociata e as për t’u pajtuar. Ata duhet të shkatërrohen”, ka deklaruar ai në për Euronews Albania.

“Izraeli ka diçka të tillë për qëllim. Megjithatë unë mendoj se do ishte mirë nëse Izraeli do të shpallte planin postë konfliktit në mënyrë që duhet të marrë nën kontroll qeverisjen e Gazës. Kjo luftë ka marrë jetë njerëzish të pafajshëm”, potencoi Petreaus.

Ndryshe, Hamasi është një grup militant islamik palestinez që sundon Rripin e Gazës, që kur mori pushtetin në vitin 2007.

Hamasi në tërësi, ose në disa raste krahu i tij ushtarak, cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe fuqi të tjera. Hamasi mbështetet nga Irani, i cili e financon atë dhe ofron armë dhe trajnime.

Katër palestinezë të vrarë gjatë përleshjeve në Bregun Perëndimor

Katër palestinezë janë vrarë mëngjesin e së hënës në Xhenin në Bregun e pushtuar Perëndimor, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë, përderisa forcat izraelite janë përleshur me palestinezët.

Ministria tha se edhe pesë palestinezë janë plagosur, përshirë edhe dy që kanë pësuar lëndime serioze.

Mediat izraelite kanë raportuar se ka pasur shkëmbim të ashpër të zjarrit midis forcave izraelite dhe palestinezëve dhe Xhenin dhe ka pasur edhe sulme me dronë.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Gazë më 7 tetor. Që atëherë, forcat izraelite dhe kolonët hebrenj kanë vrarë 115 palestinezë, përfshirë 33 të mitur. Këto shifra u paraqitën të dielën nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për koordinim të çështjeve humanitare.

Kjo zyrë tha se gjysma e viktimave janë shkaktuar gjatë përleshjeve që kanë pasur operacionet e bastisjeve të Izraelit.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, dënoi dhunën e kolonëve hebrenj ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.

SHBA-ja po ashtu i ka kërkuar Izraelit që të “frenojë” kolonët ekstremistë hebrenj në Bregun Perënimor.

“Është plotësisht e papranueshme që kemi dhunë të kolonëve ekstremistë ndaj njerëzve të pafajshëm në Bregun Perëndimor”, tha më 29 tetor këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan./REL

Ndërhyrja tokësore në Gaza, Këshilli i Sigurimit të OKB mblidhet sot në një takim urgjent

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim urgjent të hënën në lidhje me pushtimin tokësor të Gazës nga Izraeli sipas CNN.

Sipas burimeve diplomatike në tekstin e kërkesës nga Emiratet e Bashkuara Arabe kërkohet që Këshilli të informohet nga nënsekretari i përgjithshëm për çështjet humanitare dhe koordinatori i ndihmës emergjente, dhe një zyrtar nga Agjencia e OKB-së për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt.

Agjenda e Këshillit të Sigurimit për të hënën ka një takim të planifikuar pasdite për “Situatën në Lindjen e Mesme, përfshirë çështjen palestineze”.

Takimi urgjent vjen pasi 120 vende votuan për një rezolutë të Kombeve të Bashkuara të premten, të prezantuar nga Jordania, e cila bënte thirrje për një “armëpushim të qëndrueshëm humanitar” në Gaza. Shtetet e Bashkuara ishin një nga 14 vendet që votuan kundër rezolutës, me 45 vende që abstenuan.

Të shtunën, ministria e jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe dënoi operacionet tokësore të Izraelit në Gaza dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Emirateve të Bashkuara Arabe WAM.

Në prag të krizës humanitare, OKB: Palestinezët hyjnë me forcë nëpër depo për të marrë ushqime

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se mijëra persona kanë hyrë me forcë në depo të ndihmës në Gazë për të marrë ushqime dhe “gjësende të tjera elementare për mbijetesë”.

Thomas White, drejtor i agjencisë në Gazë, tha më 29 tetor se kjo hyrje në depotë e ushqimeve “është një shenjë shqetësuese se rendi civil ka filluar të prishet” pas tre javësh luftë mes Izraelit dhe Hamasit, që udhëheq me Gazën.

Agjencia, që njihet si UNRWA, ofron shërbime bazike për qindra mijëra persona në Gazë. Shkollat që udhëhiqen nga kjo agjenci në mbarë Rripin e Gazës janë shndërruar në strehimore për palestinezët e zhvendosur nga konflikti.

Gaza është e rrethuar dhe po përballet me sulme të vazhdueshme ajrore, detare dhe tokësore nga Izraeli, që kur Hamasi kreu sulm në Izrael më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.400 persona.

Izraeli ka bllokuar furnizimet me karburante, ujë dhe rrymë për në Gazë, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë. Autoritetet izraelite kanë lejuar vetëm një pjesë të vogël të ndihmës për palestinezët që ka hyrë nga pikëkalimi Rafah, që lidh Gazën me Egjiptin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat