Iran, persona të armatosur vrasin nëntë shtetas të huaj pranë kufirit me Pakistanin

Azia

Iran, persona të armatosur vrasin nëntë shtetas të huaj pranë kufirit me Pakistanin

Më: 27 janar 2024 Në ora: 15:08
Foto ilustrim

Persona të armatosur, të paidentifikuar, vranë nëntë shtetas të huaj në pjesën jugore të Iranit, pranë kufirit me Pakistanin, njoftoi të shtunën agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Mehr. Irani dhe Pakistani janë përpjekur që të përmirësojnë marrëdhëniet pas incidenteve të fundit.

Agjencia e lajmeve Mehr tha se asnjë individ apo grup nuk kishte marrë përgjegjësinë për vrasjet në provincën e trazuar Sistan-Baluchestan.

Grupi për të drejtat e popullsisë etnike në rajon, Haavalash shkruante në faqen e tij të internetit se viktimat ishin punëtorë pakistanezë që jetonin dhe punonin në një pikë riparimi makinash. Tre të tjerë u plagosën, njoftoi grupi.

Media shtetërore iraniane tha se ambasadorët e Pakistanit dhe Iranit ishin kthyer në postet e tyre pasi u tërhoqën kur të dy vendet shkëmbyen sulme me raketa javën e kaluar, duke thënë se goditjet kishin si objektiva militantët.

Rajoni i varfër prej kohësh ka qenë skenë e përleshjeve sporadike midis forcave të sigurisë dhe militantëve separatistë dhe kontrabandistëve që transportonin opium nga Afganistani, prodhuesi më i madh në botë i drogës.

Irani ka çmimet më të ulëta të karburantit në botë çka ka bërë në rritjen e kontrabandës së karburantit drejt Pakistanit dhe Afganistanit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat