LIVE: Luftë e ashpër në Gaza, Hamasi dhe Izraeli para një marrëveshjeje – Netanyahu vjen me deklaratë të fortë

Azia

LIVE: Luftë e ashpër në Gaza, Hamasi dhe Izraeli para një marrëveshjeje – Netanyahu vjen me deklaratë të fortë

Nga: Bota sot Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 08:52 Përditësuar në ora: 18:39 më 02.02.2024
Një njësi e artilerisë mobile e Izraelit duke sulmuar drejt Gazës nga kufiri mes Izraelit dhe Gazës. 1 shkurt 2024.

Lufta mes Hamasit dhe Izraelit, 112 viktima në 24 orë në Gaza

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, raporton se 112 palestinezë janë vrarë dhe 148 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë që prej fillimit të luftës në Gaza kanë humbur jetën 27,131 persona, ndërsa kanë mbetur të plagosur 66,287 të tjerë.

Forcat izraelite kanë fokusuar ofensivën e tyre në qytetin jugor të Khan Younis javët e fundit.

Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant sugjeroi se ofensiva tani mund të zhvendoset në Rafah, qyteti më jugor i rajonit, ku më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës dyshohet të jenë strehuar nga bombardimet izraelite.

Hamasi pritet të kthejë përgjigje për një armëpushim të mundshëm në Gazë

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha sot se grupi do të kthejë “shumë shpejt” një përgjigje mbi propozimin që parashikon ndërprerje të përkohshme të luftimeve në Gazë dhe këmbimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi, me të burgosur palestinezë në Izrael.

Hamasi dhe militantë të tjerë vazhdojnë të mbajnë dhjetra pengje në Gazë. Sipas autoriteteve izraelite, militantët e Hamasit morën rreth 250 persona peng gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit, ku u vranë 1200 persona, shumica civilë, që nxiti kundër ofensivën e Izraelit në rajon.

Më shumë se 100 pengje u lanë të lirë gjatë një marrëveshjeje armëpushimi në muajin nëntor, në këmbim të lirimit të 120 të burgosurve palestinezë.

Ministria e Shëndetësisë së Hamasit, që kontrollohet nga Hamasi thotë se si pasojë e kundërofensivës së Izraelit të Gazë, janë vrarë më shumë se 27 mijë vetë dhe janë plagosur 66 mijë të tjerë. Ministria nuk bën dallim mes civilëve dhe militantëve në këtë bilanc, por thotë se shumica e të vrarëve kanë qenë gra dhe fëmijë.

Lufta e Izraelit në Gazë rrezikon të përshkallëzohet edhe në vendet fqinje, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të udhëheqësve në mbarë botën për të ulur tensionet në rajon./VOA

Netanyahu, nën trysni në rritje për të pranuar marrëveshjen me Hamasin

Sondazhet e reja tregojnë se mbështetja për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu është gjithnjë e më në rënie. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Jeruzalemi, Linda Gradstein, shumica e izraelitëve të anketuar thonë se ai duhet të largohet pushteti, pasi të përfundojë lufta.

Një marrëveshje e re e mundshme për lirimin e 132 izraelitëve që po vazhdojnë të mbahen peng nga Hamasi në Gazë për gati katër muaj, me shumë gjasë do ta detyronte Izraelin t’i jepte fund luftës pa shkatërrimin e grupit militant.

Kryeministri Netanyahu flet me bindje se kjo nuk do të ndodhë.

"Ne nuk do ta përfundojmë luftën pa arritur qëllimet. Kjo nënkupton shkatërrimin e Hamasit, kthimin e të gjitha pengjeve tona dhe garancinë që Gaza të mos përbëjë kurrë më një kërcënim për Izraelin. Ne nuk do të tërheqim forcat tona nga Rripi i Gazës dhe nuk do të lirojmë mijëra terroristë. Asnjëra nga këto nuk do të ndodhë. Çfarë do të ndodhë? Fitorja e plotë”, tha zoti Netanyahu.

Ndërsa lufta vazhdon pa një fund në horizont, një numër në rritje izraelitësh po bëhen më të zëshëm në mbështetjen e tyre për familjarët e pengjeve, duke bërë trysni ndaj zotit Netanyahu që të pranojë kushtet e marrëveshjes për lirimin e pengjeve.

"Mendojmë se duhet të ketë një ndryshim ose rishikim të planit aktual, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Nëse kryeministri do ta kishte djalin në Gazë, ndoshta do ta mendonte ndryshe çmimin që do të ishte i gatshëm të paguante”, thotë izraelito-amerikani Ruby Chen, djali i së cilit mbahet peng nga Hamasi.

Nga ana tjetër, anëtarët e ekstremit të djahtë në qeverinë e kryeministrit Netanyahu thonë se do të largohen nga koalicioni dhe do ta rrëzojnë qeverinë nëse ai i jep fund luftës me Hamasin, ndërsa grupi militant vazhdon të kontrollojë Gazën.

Kryeministri Netanyahu është po ashtu nën trysninë e Presidentit amerikan Joe Biden për arritjen e një marrëveshjeje që do të krijonte një shtet palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, nën kontrollin e asaj që zyrtarët amerikanë thonë se duhet të jetë “Autoritet i rigjallëruar Palestinez”.

Analistët izraelitë thonë se kërkesat e ndryshme brenda dhe jashtë vendit janë sfiduese për zotin Netanyahu, kryeministrin më jetëgjatë të Izraelit. Shumica presin zgjedhje të reja në Izrael pas përfundimit të luftës, ose edhe më herët, nëse lufta vazhdon gjatë.

Është e qartë se ka shumë trysni ndaj Kryeministrit Netanyahu për të caktuar një kohë për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, siç e dimë, në Lindjen e Mesme marrëveshjet e përkohshme nuk janë të qëndrueshme, qoftë sa u përket marrëdhënieve politike, diplomatike apo strategjike”, thotë Dan Diker nga Qendra e Jeruzalemit për Marrëdhënie me Publikun.

Sondazhet e fundit tregojnë se vetëm 15 për qind e izraelitëve duan që zoti Netanyahu të mbetet kryeministër edhe pas luftës. Shumë thonë se e kanë humbur besimin tek qeveria e tij, pas dështimeve të autoriteteve të zbulimit dhe sigurisë për të penguar sulmet e Hamasit më 7 tetor.

“Shanset që Netanyahu të ketë të ardhme politike me gjithë këto dallime, janë shumë të ulëta”, thotë Amootz Asa-El nga Instituti “Shalom Hartman”.

Deri tani udhëheqësi i Izraelit ka refuzuar të marrë përgjegjësi për sulmet e 7 tetorit. Por analistët thonë se shumë izraelitë mendojnë se ai është përgjegjës dhe se është koha që të largohet nga pushteti./VOA

Hamasi jep miratim “fillestar” për planin e armëpushimit në Gazë

Luftimet në Gazë vazhduan edhe më 2 shkurt, teksa u raportua për dhjetëra të vrarë gjatë natës. Këto njoftime erdhën në kohën kur Katari tha se Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka dhënë miratim “fillestar” për një marrëveshje për lirimin e pengjeve, në këmbim të të burgosurve.

Një marrëveshje e tillë do të pauzonte luftën mes radikalëve palestinezë dhe Izraelit.

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi tha se 105 persona janë vrarë brenda 24 orëve të fundit, përderisa janë raportuar bombardime dhe luftime në Han Junis, qytetin në jug të Gazës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, tha se gjatë bisedimeve të fundit në Paris, mes zyrtarëve të Katarit, Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Egjiptit, është diskutuar për një propozim për armëpushim në Gazë.

“Propozimi është miratuar nga pala izraelite dhe tani kemi konfirmim pozitiv fillestar edhe nga pala e Hamasit”, tha ai.

Ansari tha se ka shpresë për “lajme të mira” lidhur me një fazë të re në luftën në Gazë, duke paralajmëruar se mund të ketë lëvizje në këtë drejtim “në javët në vijim”.

Plani i armëpushimit përfshin lirimin në faza të mbi 100 pengjeve që Hamasi rrëmbeu gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael. Në nëntor u lirua një pjesë e pengjeve në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë në Izrael. Po ashtu, plani për armëpushim prej dy muajsh, parasheh ndërprerjen e luftimeve, që do të mundësonte dërgimin e ndihmës më të madhe humanitare në Gazë.

Izraeli nisi ofensivën e tij në Rripin e Gazës, pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit. Si pasojë e sulmeve izraelite, në Gazën prej 2.3 milionë banorësh, deri më tani janë vrarë mbi 27.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Megjithatë, ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.

Britania mund ta njohë shtetin palestinez përpara arritjes së një marrëveshjeje paqeje me Izraelin

Kryediplomati britanik tha të enjten se vendi i tij mund të njohë zyrtarisht një shtet palestinez, pas një armëpushimi në Gaza, pa pritur për rezultatin e bisedimeve shumëvjeçare midis Izraelit dhe palestinezëve për një zgjidhje me dy shtete.

Gjatë një vizite në Liban të enjten, me qëllim uljen e tensioneve rajonale, Sekretari i Jashtëm David Cameron tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se nuk do të ketë asnjë njohje ndërsa Hamasi vazhdon të jetë Gazë. Ai tha se njohja mund të vijë ndërsa vazhdojnë negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve.

Njohja nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara e një shteti të pavarur palestinez “nuk mund të vijë në fillim të procesit, por nuk duhet të jetë në fund të procesit”, tha kryediplomati Cameron, i cili ka shërbyer më parë në postin e kryeministrit të Britanisë.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

Rëndohet bilanci tragjik në Gaza, ja sa ka shkuar numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i luftës

Rritet bilanci tragjik i viktimave si pasojë e luftës në Gaza.

Ministria e Shëndetësisë në enclave ka raportuar se numri i viktimave i ka kaluar 27 mijë, shkruan Al Jazeera.

Ndërkaq, më shumë se 66 mijë të tjerë janë plagosur nga lufimet.

Më herët, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu këmbënguli se një marrëveshje me Hamasin për të siguruar lirimin e më shumë se 100 pengjeve që ende mbahen në Gaza nuk do të vijë “me asnjë çmim”, pasi protestat e përhapura vazhdojnë në Izrael.

Shtëpia e Bardhë: ShBA nuk ka plane për të sanksionuar zyrtarët e qeverisë izraelite

Aktualisht nuk ka plane për të vënë në shënjestër ndonjë zyrtar izraelit me sanksione ekonomike, tha Shtëpia e Bardhë të enjten pasi administrata njoftoi një urdhër të ri ekzekutiv që synon katër individë të akuzuar për ushtrim të drejtpërdrejtë të dhunës ose frikësimit në Bregun Perëndimor.

“Nuk ka plane për të vënë në shënjestër me sanksione zyrtarët e qeverisë izraelite në këtë kohë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, shkruan CNN.

“Ky ishte një grup fillestar emërtimesh; Nuk do të parashikoj nëse do të ketë më shumë apo jo, por është një mjet i ri që ne do t’i hedhim një vështrim duke e përdorur siç duhet”.

Axios raportoi të enjten se administrata kishte konsideruar sanksionimin e disa ministrave ultra-konservatorë të qeverisë izraelite, duke përfshirë ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir dhe Ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, që të dy kanë mbrojtur zhvendosjen masive të palestinezëve nga Gaza për t’u hapur rrugë kolonëve izraelitë.

Ben Gvir ka ndërmarrë hapa për të armatosur civilët izraelitë pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit dhe, sipas The New York Times, ka premtuar 10 mijë armë në qytete dhe qytete në të gjithë Izraelin, duke përfshirë vendbanimet izraelite në territorin palestinez.

Ish-kryeministri izraelit: Nevojë urgjente për lirimin e pengjeve

Ish-kryeministri izraelit, Ehud Barak ka thënë se është pro një marrëveshje që do të lirojë pengjet në Gaza sa më shpejt që të jetë e mundur.

Barak ka thënë se është nnevojë më urgjente në këtë moment për të liruar pengjet, shkruan Sky News.

“Çrrënjosja e çdo aftësie ushtarake të Hamasit mund të zgjasë një vit nga tani, por ne mund të mos kemi pengje të gjallë brenda një viti. Nëse kjo do të thotë se ne duhet të kemi dhjetë javë armëpushim, nuk më intereson”, është shprehur ai.

Britania e Madhe nuk do të dërgojë trupa tokësore në luftime kundër Houthit

Mbretëria e Bashkuar nuk do të dërgojë trupa tokësore në luftime kundër militantëve Houthi në Jemen, tha zëvendëskryeministri Oliver Dowden.

“Le të jemi të qartë që në fillim. Nuk kemi asnjë plan për të këtë”, ka thënë Dowden, shkruan Sky News.

Ai tha se sulmet ajrore, të cilat kanë marrë njëfarë mbështetjeje ndërkombëtare, kishin për qëllim zvogëlimin e aftësisë së Houthit për të kërcënuar anijet në Detin e Kuq dhe jo për të dëbuar grupin.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania, që nga janari, kanë goditur objektivat Houthi në Jemen me sulme ajrore pas muajve të sulmeve të Houthi ndaj anijeve tregtare dhe detare në Detin e Kuq.

Ushtria izraelite po bën përparim në Khan Younis, thotë Ministri i Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant ka thënë se operacioni ushtarak izraelit në zonën Khan Younis në jug të Gazën po përparon.

“Ne po i arrijmë misionet tona në Khan Younis dhe gjithashtu do të arrijmë në Rafah dhe do të eliminojmë elementët që na kërcënojnë”, është shprehur ai.

Bëhet e ditur se ka pasur luftime intensive në qytetin jugor ditët e fundit, veçanërisht rreth një kompleksi spitalor ku janë strehuar mijëra njerëz, shkruan CNN.

“Operacionet e ushtrisë izraelite që synojnë terroristët na sjellin më pranë mundësimit të kthimit të pengjeve, sepse Hamasi i përgjigjet vetëm presionit”, tha tutje Gallant.

Ai shtoi se forcat izraelite deri më tani kanë vrarë rreth 10 mijë luftëtarë të Hamasit dhe sipas tij, 10 mijë të tjerë janë plagosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat