Trend në rritje i martesave të të miturve në Taxhikistan

Azia

Trend në rritje i martesave të të miturve në Taxhikistan

Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 22:38
Ilustrim

Dilrabo ka thënë se është pajtuar për t’u martuar në moshën 16-vjeçare vetëm për t’i ikur jetës së vështirë që e ka pasur, pasi i ka vdekur babai dhe i është rimartuar nëna, e cila e ka lënë në një konvikt shtetëror.

“Martesa ime ka zgjatur vetëm dy vjet…përgjatë së cilës jam përballur me abuzime nga duart e burrit tim. Tani, djali i im i vogël dhe unë nuk kemi ku të jetojmë”, ka thënë 23-vjeçarja që banon në Dushanbe, e cila ka kërkuar që të mos i publikohet mbiemri.

Dilrabo ka thënë se jeta e saj “mund të ishte ndryshe” nëse ajo nuk do t’iu jepte fund studimeve në klasën e shtatë dhe të martohej.

“Do të isha në punë tani, do të fitoja sa për të jetuar”, i ka thënë Dilrabo Radios Evropa e Lirë.

“Si përfundim, kam përfunduar me këtë jetë të vështirë”.

Dilrabo nuk ka treguar nëse martesa e saj – dhe divorci pasues – janë regjistruar në komunë, apo ajo ka qenë e martuar vetëm sipas fesë Islame.

Më 2010, ky shtet i Azisë Qendrore me shumicë myslimane, e ka rritur moshën minimale për martesë prej 17 në 18 vjet.

Autoritetet kanë thënë se ky vendim është marrë për t’i mbrojtur të drejtat e grave dhe për të siguruar mirëqenien e tyre.

Qeveria, po ashtu, ka paralajmëruar figurat fetare që të mos martojnë askënd nën moshën 18-vjeçare.

Megjithatë, taxhikët mund të martohen në moshën 17-vjeçare, me miratim të gjykatës.

Statistikat tjera tregojnë se martesat e të miturve në gjykatë kanë shënuar rritje në Taxhikistan, në vjetët e fundit.

Në një sondazh të opinionit publik në Taxhikistan, më 2021, 53 për qind e 1.500 familjeve të anketuara, kanë thënë se mosha më e mirë për t’i martuar vajzat është 19-20 vjeç.

Më shumë se 4.000 njerëz janë martuar në moshën 17-vjeçare, me miratim të gjykatës në Taxhikistan, më 2022, sipas Avokatit të Popullit në këtë shtet, Suhaili Qodiri.

Ky numër përbën rritje prej vitit 2018, kur zyra e regjistrimit ka regjistruar 2.500 martesa të të miturve.

“Këto shifra janë shumë të larta”, ka thënë Qodiri.

“Martesat nuk duhet të lejohen para moshës 18-vjeçare. Ne duhet ta ndryshojmë ligjin”.

Ligji nuk përcakton se në çfarë kushte mund të japë gjykata leje për martesë në moshën 17-vjeçare.

Avokati i Popullit ka thënë se këto hapësira u kanë dhënë mundësi shumë personave që të mos kryejnë martesa të ligjshme.

Aktivistë për të drejtat e grave kanë pretenduar që disa prindër taxhikë përfitojnë prej këtyre zbrazëtive për t’i shtyrë vajzat e tyre që të martohen.

Shumica e atyre që janë martuar në moshën 17-vjeçare janë gra, pasi shumica e familjeve në këtë shoqëri konservatore preferojnë t’i martojnë vajzat e tyre në moshë të hershme.

Në një sondazh të opinionit publik në Taxhikistan, më 2021, 53 për qind e 1.500 familjeve të anketuara, kanë thënë se mosha më e mirë për t’i martuar vajzat është 19-20 vjeç, ndërsa burrat 24 vjeç.

Të pyetur pse burrat martohen më vonë sesa gratë, shumica e respodentëve kanë thënë se besojnë që burrat duhet të përfundojnë fakulitetin para se të martohen.

Fund i palumtur

Ekspertët dhe grupet për të drejta të njeriut kanë thënë se gratë që martohen herët, përfundojnë me probleme fizike dhe mendore.

Ata kanë thënë se vajzat 17-vjeçare nuk janë të gatshme të nisin jetën martesore, në të cilën një grua duhet të kujdeset për burrin, fëmijët, t’i bëjë punët e shtëpisë dhe të sillet sipas normave tradicionale taxhike.

Për familjet taxhike nuk është e pazakonshme që prindërit e djalit të përzihen në martesën e tij.

“Një grua ka kërkuar një herë ndihmë prej organizatës sonë për të martuar vajzën e saj 17-vjeçare. Ia kam sqaruar që vajza e saj është ende fëmijë dhe nuk është gati për martesë – që nuk do të funksionojë”, ka thënë Shohsanam Qaraboeva, prej grupit për të drejta të njeriut Ghamkhori.

Megjithatë, gruaja ka vendosur ta martojë vajzën, ka thënë Qaraboeva.

Mirëpo, martesa ka përfunduar pas 18 muajve dhe adoleshentja tani është nënë e vetme, me 19 vjet.

“Gruaja ka ardhur në zyre për të më thënë ‘ke pasur të drejtë’”, ka thënë Qaraboeva.

“Vjehrrit e nuses janë ankuar se ajo nuk ka qenë e gatshme për martesë dhe që nuk ka mundur të zgjohet herët për t’i kryer punët e shtëpisë”.

Ndonëse leja e gjykatës për martesë në moshën 17-vjeçare duhet të bazohet në një kërkesë prej nuses apo dhëndrit, flitet në masë që aplikime të tilla bëhen shpesh nën presionin e familjes./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat