Bisedimet për Sirinë, pa asnjë përparim

Azia

Bisedimet për Sirinë, pa asnjë përparim

Më: 16 tetor 2016 Në ora: 15:32
Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov

Bisedimet në mes të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe vendeve të rajonit për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, pas katër orësh kanë përfundua pa asnjë aksion konkret për të ndalur dhunën.

Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, janë takuar në Lozanë të Zvicrrës së bashku me të dërguarin e posaçëm të OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe diplomatë nga Turqia, Arabia Saudite dhe Katari.

Kerri ka thënë se në këtë takim janë diskutuar ide të reja për ripërtrirjen e armëpushimit. Ai ka thënë se pavarësisht tensioneve në mes të palëve, ata janë pajtuar për urgjencën e vazhdimit të punës për të ripërtërirë marrëveshjen. Ai u tregoi gazetarëve se palët do të takohen sërish më 17 tetor, për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Palët “mund të jenë në gjendje që të krijojnë një qasje tjetër”, ka shtuar Kerri.

Kerri dhe Lavrov fillimisht zhvilluan një takim bilateral për 40 minuta. Më pas janë zhvilluar takim multilaterale me ministrat e jashtëm të Turqisë, Arabisë Saudite dhe Katarit, shtete këto që mbështesin rebelët në Siri. I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif. Irani është mbështetës kyç i regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad.

Një diplomat perëndimor në Lozanë të Zvicrrës, i ka thënë agjencisë Reuters se takimi nuk ishte i përgatitur mirë dhe se kanë qenë të paqarta qëllimet që duan të arrijnë.

“Nëse do të bisedohej për të arritur një marrëveshje për qytetin e Alepos, atëherë shtetet duhet të zotohen; Rusia duhet të ndalë bombardimet, Irani të tërheq nga terreni milicitë të cilët mbështesin Damaskun”, i ka thënë Reutersit ky diplomat, derisa bisedimet ishin akoma duke u zhvilluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat