Shpërthim në një kishë në Filipine, lëndohen 16 persona

Azia

Shpërthim në një kishë në Filipine, lëndohen 16 persona

Më: 24 dhjetor 2016 Në ora: 20:04
Ilustrim

Gjashtëmbëdhjetë persona janë lënduar pasi një granatë ka shpërthyer jashtë një kishe katolike, në prag të meshës për Krishtlindje në Filipine, njoftojnë zyrtarët policorë.

Ngjarja ka ndodhur në ishullin Mindanao në Filipine.

Asnjë grup deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin por rebelët myslimanë dhe ekstremistët islamikë janë shumë aktiv në këtë provincë, në të cilën edhe në të kaluarën ka pasur shpërthime të ngjashme.

Shefi i policisë në qytetin Midsayap, ku ka ndodhur shpërthimi, ka thënë se shumica e të lënduarve ishin duke qëndruar jashtë kishës Shën Nino, në momentin e shpërthimit të granatës. Ai ka njoftuar se në mesin e të plagosurve është edhe një polic.

Policia në këtë qytet ka pranuar informacione se në zonën ku ka ndodhur shpërthimi është edhe një mjet tjetër shpërthyes. Ata kanë rrethuar vendin dhe janë duke kryer hetime.

Forcat e sigurisë përgjatë Azisë Juglindore kanë alarmuar për sulme të mundshme gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, përderisa policia në Australi dhe Indonezi kanë njoftuar se kanë parandaluar sulme me bomba.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat