Irani zhvillon zgjedhjet presidenciale

Azia

Irani zhvillon zgjedhjet presidenciale

Më: 19 maj 2017 Në ora: 19:10
Presidenti në detyrë Hassan Rouhani

Të premten në Iran zhvillohen zgjedhjet për presidentin e ri të vendit.

Presidenti në detyrë Hassan Rouhani përballet me një sfidë të fortë nga konservatorët që e kritikojnë menaxhimin nga ana e tij të ekonomisë dhe marrëveshjes bërthamore të nënshkruar me perëndimin.

Presidenti Rouhani e vendosi të ardhmen e tij politike tek marrëveshja bërthamore. Nënshkrimi i saj çoi në heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Iranit.

Por sfidanti kryesor i tij Ebrahim Raisi e ka kritikuar marrëveshjen për shkak se ka lënë ende në fuqi sanksione që lidhen me shërbimet bankare dhe financiare.

Sipas analistëve politikë dhe sondazheve të pakta, presidenti Rouhani shihet si favorit në garë. Presidentin e favorizon edhe një fakt historik: prej vitit 1981, të gjithë presidentët janë rizgjedhur për një mandat të dytë.

Nëse presidenti Rouhani nuk siguron shumicën e votave mes katër kandidatëve në garë, do të shkohet drejt një balotazhi që zhvillohet një javë më vonë mes dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të madh të votave. Konservatori i linjës së ashpër Ebrahim Raisi kandidon me një platformë që bazohet tek ekonomia. Ai ka premtuar krijimin e miliona vendeve të reja të punës si dhe uljen e papunësisë që aktualisht llogaritet në 12.7 për qind.

Ebrahim Raisi shihet nga shumë njerëz si i afërt me Ajatollah Ali Khamenein, udhëheqësin suprem të Iranit. Por Khamenei nuk ka shkuar aq larg sa ta mbështesë Ebrahim Raisin.

Sipas sistemit qeverisës të Iranit, i cili u zbatua pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, të gjithë kandidatët duhet të verifikohen nga një grup njerëzish përfaqësues të fesë, përpara se të marrin miratimin për të kandiduar për president.

Kandidati pro reformave Mostafa Hashemitaba, i cili ka garuar edhe në zgjedhjet presidenticiale të vitit 2001 si dhe ish ministri i kulturës Mostafa Mirsalim, janë dy kandidatët e tjerë në garë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat