Irani kërcënon me largim nga marrëveshja bërthamore

Azia

Irani kërcënon me largim nga marrëveshja bërthamore

Më: 15 gusht 2017 Në ora: 13:50
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani

Irani mund ta braktisë marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore, brenda orëve, në rast se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me politikat e tyre “të sanksioneve dhe shtrëngimit”, ka thënë presidenti iranian, Hassan Rohani.

Rohani u ka thënë ligjvënësve gjatë një fjalimi në Parlament, që është transmetuar në televizion, se “përvoja e dështuar e sanksioneve dhe shtrëngimeve e ka sjell në tavolinën e bisedimeve regjimin e kaluar”.

“Në rast se ata dëshirojnë të kthehen prapë tek ajo përvojë, ne mund të kthehemi më të fuqishëm në situatën e mëparshme, jo brenda javëve apo muajve, por brenda orëve”.

Rohani ka thënë se administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka treguar botës se ajo nuk ka qenë “partnere e mirë”, duke kërcënuar prishjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

“Gjatë muajve të fundit, bota ka qenë dëshmitare se si SHBA-ja, duke thyer vazhdimisht premtimet e marrëveshjes bërthamore, ka injoruar edhe disa marrëveshje të tjera globale, dhe iu treguar aleatëve të saj se nuk është partnere e mirë dhe e besueshme”, ka thënë Rohani para Parlamentit.

Trump e ka përsëritur edhe një herë gjatë këtij muaji se Irani nuk është duke “jetësuar shpirtin” e marrëveshjes bërthamore, të cilën e ka cilësuar si “të tmerrshme”.

Sipas këtij pakti, fuqitë botërore i premtuan Iranit, lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare në këmbim të zvogëlimit të aktivitetit bërthamor.

SHBA-ja dhe Kombet e Bashkuara, që vëzhgojnë paktin, kanë thënë se Irani është duke iu përmbajtur marrëveshjes.

SHBA-ja i ka vënë Iranit sanksione të ndryshme për shkak të lansimit të raketave.

Irani ka thënë se lansimi i tyre është bërë për qëllime të vetëmbrojtjes dhe ato nuk e rrezikojnë aspak marrëveshjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat