Siri: Vazhdojnë luftimet edhe pas armëpushimit rus - Bota Sot
Siri: Vazhdojnë luftimet edhe pas armëpushimit rus

Azia

E hënë, 24 shtator 2018

Siri: Vazhdojnë luftimet edhe pas armëpushimit rus

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 18:05
Siri

Kombet e Bashkuara njoftuan të martën se luftimet kanë vazhduar në rajonet lindore të Sirisë, në Guta, që mbahet nga forcat rebele. Zona duhej të ishte në ditën e parë të asaj që u cilësua si “pushimi humanitar" i vendosur nga Rusia, për të lejuar civilët t'u shpëtojnë luftimeve.

"Është e qartë se situata në terren nuk është e tillë që autokolonat mund hyjnë apo që të kryhen evakuime mjekësore", tha zëdhënësi humanitar i Kombeve të Bashkuara Jens Laerke.

Rusia dhe Siria fajësuan luftëtarët e opozitës për bombardimet që sipas tyre goditën një rrugë evakuimi si dhe disa zona në Damask, njoftime që u mohuan nga rebelët.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani, i cili monitoron konfliktin shtatë-vjeçar, tha se Guta lindore u godit nga ajri. Si rezultat i ashpërsimit të luftimeve ditët e fundit në këtë zonë, qindra vetë kanë humbur jetën. Ushtria siriane mohoi të ketë lidhje me sulmet.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu njoftoi të hënën se “pushimi humanitar” i vendosur nga rusët do të ndodhë çdo ditë prej orës 9 të mëngjesit deri në 2 pasdite me orën lokale.

Vendimi vjen disa ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara urdhëroi një armëpushim 30-ditor në të gjithë Sirinë. Por edhe pas këtij vendimi, aktivistët raportuan sulme ajrore të vazhdueshme dhe luftë në Gutan lindore në periferi të Damaskut, ku si pasojë u vranë më shumë se 30 vetë të hënën.

Gjatë një bisede telefonike të hënën, presidenti francez Emmanuel Macron i përcolli presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan "shqetësimet e tij të forta" lidhur me vazhdimin e sulmeve ajrore kundër civilëve dhe spitaleve në Gutan lindore.

Zoti Macron i bëri thirrje gjithashtu zoti Erdogan t'i japë fund sulmeve ajrore që nisën muajin e kaluar kundër milicisë siriane kurde të mbështetur nga SHBA, në Afrin, në Sirinë veriore. Turqia e konsideron milicinë një grup "terrorist" të lidhur me kryengritësit kurdë që kanë luftuar kundër qeverisë brenda Turqisë, për tre dekada. Të dielën, Turqia tha se armëpushimi i Kombeve të Bashkuara nuk do të ketë ndikim në operacionet e saj në Sirinë veriore.

Agjencia Siriane Shtetërore e Lajmeve dhe Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftuan se si pasojë e sulmeve turke të hënën herët në mëngjes u vranë pesë persona.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se rezolutat e Këshillit të Sigurimit "kanë kuptim vetëm nëse zbatohen në mënyrë efektive". Ai përsëriti se sirianët në zonën e rrethuar të Gutas lindore "nuk mund të presin më" për ndihma humanitare.

Komisioneri për të drejtat e njeriut në OKB, Zeid Ra-ad Hussein hodhi dyshime mbi të ardhmen e rezolutës, duke thënë se ajo "duhej parë në sfondin e dështimeve për shtatë vjet për të ndaluar dhunën, shtatë vjet vrasje masive të pandërprera dhe të frikshme"

Denis Sullivan, profesor i shkencave politike i tha Zërit të Amerikës se Rusia është përgjegjëse kur vjen puna tek forcat që mbështesin presidentin sirian Bashar al-Asad dhe se zbatimi i presionit të nevojshëm ndaj Rusisë do të kërkonte fokusin e plotë të qeverisë amerikane. "Pa presionin e të gjithëve ndaj Rusisë, pra ndaj Asadit, kjo nuk do të ndodhë", tha zoti Sullivan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test