Besëlidhja e mbyll e pamposhtur sezonin e rregullt

Basketboll

Besëlidhja e mbyll e pamposhtur sezonin e rregullt

Më: 13 prill 2024 Në ora: 21:32
Pamje nga ndeshja

Ka përfunduar sot sezoni i rregullt i Superligës në basketboll për meshkuj, teksa janë luajtur ndeshjet e javës së 22-të. Besëlidhja e mbyll e pamposhtur, duke korrur 20 fitore në po kaq takime të luajtura, duke qenë superiore ndaj çdo rivali.

Në ndeshjen e sotme luajtur në “Asllan Rusi”, lezhjanët mundën thellë 80-58 Tiranën kampione, në një ndeshje të komanduar nga skuadra e Besëlidhjes.

Bardheblutë ishin shumë larg asaj që pritej, duke qenë gjithnjë në ndjekje. Marquardt me 22 pikë e Weekes me 20 pikë bënë diferencën në fushë për vendasit.

Pa probleme fiton jashtë fushe skuadra e Teutës, që mundi 92-59 Flamurtarin në Vlorë dhe u rendit në vendin e dytë. Ndeshje e komanduar nga durrsakët, ku u dallua Gorea me 20 pikë. Fitore për statistikë korri Partizani, që mundi 94-70 Fieri Basket (Gjyzeli 20 pikë), por mbetet jashtë Superligës sezonin tjetër.

Skuadra e Vllaznisë triumfoi 113-98 ndaj Elbasanit në fushën e këtij të fundit, në një ndeshje pa shumë histori. Për miqtë nga Shkodra diferencën e bëri kolektiviteti, me 7 lojtarë që realizuan mbi 12 pikë. Apolonia “kap” Superligën pas fitores 89-64 në fushën e Skënderbeut (Vruho 31 pikë), me korçarët që e mbyllën pa asnjë fitore.

Superliga-Meshkuj, java e 22-të

Partizani – Fieri Basket, 94-70

Flamurtari – Teuta, 59-92

Skënderbeu – Apolonia, 64-89

Elbasani – Vllaznia, 98-113

Besëlidhja – Tirana, 80-58

Kamza Basket (pushim)

Renditja: Besëlidhja 40 pikë, Teuta 35 pikë, Vllaznia 35 pikë, Tirana 34 pikë, Apolonia 33 pikë, Kamza Basket 32 pikë, Partizani 27 pikë, Flamurtari 27 pikë, Elbasani 25 pikë, Fieri Basket 22 pikë, Skënderbeu 20 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat