Fetahu është i kënaqur me paraqitjet e Kosovës në Itali

Basketboll

Fetahu është i kënaqur me paraqitjet e Kosovës në Itali

Më: 15 gusht 2016 Në ora: 19:15
Kombëtarja e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës nga tri ndeshje miqësore të zhvilluara deri më tani në Como të Italisë me Universitete nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka regjistruar 2 fitore e 1 humbje. Në miqësoren e parë e ka mposhtur Cedarville University me rezultat 111:77, ekip ky pjesë e NCAA 2, kurse në takimin e dytë pas vazhdimeve Kosova është mundur me shifrat 91:87 (77:77) nga Universiteti Mississiippi State, një prej skuadrave më të forta të NCAA 1,  derisa në ndeshjen e tretë Kombëtarja jonë triumfoi ndaj Universitetit Missouri Tigers me rezultat 86:80, gjithashtu ekip ky që luan me sukses në NCAA 1. Të martën Kosova do të ballafaqohet me Kansas State, kurse një ditë më pas me Athletes in Action. Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Arben Fetahu është shprehur i kënaqur me rrjedhën e deritashme të miqësoreve të zhvilluara deri më tani në Como të Italisë, ndërsa ai pret ndeshje shumë të forta në dy ditët në vazhdim. “Rrjedha e deritashme e turneut tonë në Itali ka qenë më se e kënaqshme, ngase ekipi jonë po tregon lojë çdo herë e më të mirë. Pas ndeshjes së parë dhe më të lehtë kundër Cedarville University, pasuan dy ndeshje të forta në të cilat ne treguam lojë të fortë dhe të matur. Pas humbjes në vazhdime nga Mississippi State, shënuam një fitore të rëndësishme në një ndeshje tejet të fortë ndaj Missouri Tigers. Duhet thënë që kemi treguar lojë të mirë në të gjitha ndeshjet, ndërsa edhe më inkurajues është fakti që janë angazhuar të gjithë lojtarët dhe kemi funksionuar mirë si ekip. Tani na presin edhe dy ndeshje të forta, të martën dhe të mërkurën kundër Kansas State dhe Athletes in Action, para kthimit në Prishtinë dhe përgatitjes për ndeshjet e fundit testuese në Qipro më 23 dhe 24 gusht”. Ndeshjet miqësore në Itali përbëjnë fazën e parafundit të përgatitjeve të Kombëtares së Kosovës para miqësoreve me Qipron dhe Katarin që zhvillohen në Qipro disa ditë para fillimit të kualifikimeve për Eurobasket 2017. Kombëtarja jonë do të bëjë gara në Grupin E në kualifikimet për Kampionatin Evropian, së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë. Ndeshjen e parë kualifikuese Kombëtarja jonë do ta luaj si mysafire në Lubjanë kundër Sllovenisë më 31 gusht.  Ndërkaq ndeshjen e parë si nikoqire në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, Kosova do ta luaj më 3 shtator kundër Ukrainës në palestrën “Minatori” të Mitrovicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat