Ja çfarë thotë anglezi për basketbollin e Kosovës

Basketboll

Ja çfarë thotë anglezi për basketbollin e Kosovës

Më: 9 janar 2017 Në ora: 11:16
Mark Paton

Të dielën në sallën e konferencave “Orion” në Prishtinë është mbajtur Klinika për gjyqtarët dhe vëzhguesit e Kosovës, me ligjërues instruktorin nga FIBA, anglezin Mark Paton.

Klinika është organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe FIBA për gjyqtarët ndihmës, të cilët janë njoftuar me punën dhe udhëheqjen e punës së tavolinës zyrtare. Në fakt kjo është Klinika e parë e këtij lloji që është organizuar nga FIBA në Kosovë, ndërsa numri i pjesëmarrësve ishte 50 sosh.

Gjyqtarët ndihmës patën rastin të informohen rreth programit DSS (Digital Scoresheet-Procesverbali i ndeshjes në mënyrë digjitale), ndërsa i janë nënshtruar edhe testeve nga njohja e rregullave dhe punës së tavolinës zyrtare të përgatitura nga instruktori Paton.

Instruktori i FIBA-s, Mark Paton për faqen zyrtare të FBK-së ka thënë se është i kënaqur me punën e bërë gjatë Klinikës, por ka theksuar se ka edhe shumë punë për të bërë në aspektin e njohjes së programit DSS (Digital Scoresheet-Procesverbali i ndeshjes në mënyrë digjitale).

“Jam i kënaqur me interesimin e madh për këtë Klinikë, por edhe me pyetjet dhe diskutimet që i kemi bërë gjatë Klinikës. Ka pasur disa pyetje të mira, të cilat më pas hapnin diskutime dhe kështu pjesëmarrësit bëheshin edhe më aktiv, që edhe është qëllimi i Klinikës. Pra kur ata bëhen aktivë, kjo do të thotë se punojnë më shumë, e kjo e bën Klinikën që të jetë e suksesshme. Organizuam edhe disa testime, pas të cilave ne i analizuam ato dhe kështu sqaruam dilemat që krijoheshin në pyetjet dhe në gabimet e bëra. Në Klinikë pjesëmarrës ishin edhe disa gjyqtarë ndihmës me përvojë dhe kjo vërehej në punën që ata e bënë gjatë Klinikës. Të njëjtit mund të shërbejnë si shembuj për gjyqtarët e tjerë ndihmës me më pak përvojë”, ka thënë Paton, i cili me këtë punë merret që nga viti 2015, ndërsa më parë ka organizuar Klinika si instruktor i FIBA-s edhe në Angli, Kroaci, Irlandë dhe Slloveni. Për të kjo ka qenë hera e parë që e ka vizituar Kosovën.

“Jam i kënaqur me punën që e ka bërë Federata rreth organizimit të Klinikës, ndonëse ajo ka qenë në program të zhvillohet për dy ditë, por për shkak të anulimit të fluturimit tim për një ditë, ne jemi detyruar që atë ta organizojmë vetëm për një ditë. Sidoqoftë kemi arritur mjaft mirë që së bashku me zyrtarët e Federatës ta menaxhojmë situatën dhe kështu që gjatë gjithë ditës së diel ta kryejmë punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani gjyqtarët ndihmës duhet ta praktikojnë sa më shumë programin DSS, të ndhmojnë njëri-tjetrin dhe të avancojnë tutje, sepse kjo është mënyra e duhur për ta bërë një gjë të tillë”, ka përfunduar Mark Paton. Duhet theksuar se krahas kësaj Klinike, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me FIBA-n do të organizoj edhe dy Klinika të tjera. E para do të mbahet më 10 janar dhe do të udhëhiqet nga instruktori i FIBA-s, maqedonasi Gjorgji Piperkov dhe e dyta do të mbahet në fund të muajit shkurt dhe do të udhëhiqet nga drejtori i departamentit të gjyqtarëve në FIBA Europe, kroati Davorin Nakiq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat