Berishës i shkëlqen balli: E kemi shkruar vërtetë një histori

Basketboll

Berishës i shkëlqen balli: E kemi shkruar vërtetë një histori

Më: 22 gusht 2017 Në ora: 11:03
Dardan Berisha

Të pakta janë fjalët për të përshkruar atë që ka bërë kapiteni i kombëtares së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha në ciklin e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Një gjë të tillë e ka thënë edhe vetë përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg në konferencën për media të organizuar menjëherë pas triumfit ndaj Estonisë, fitore kjo që ia siguroi kombëtares tonë një vend në mesin e 32 kombëtareve për në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Dardan Berisha, kapiten, tha se: “Së pari falënderoj tifozët për përkrahjen dhe për besimin që na dhanë në ndeshjet si vendas, por edhe në ato si mysafir. Po ashtu falënderoj trajnerët, bashkëlojtarët, shtabin mjekësor, kryetarin e Federatës, stafin e FBK-së dhe gjithë ata që nuk u ndalën për të punuar dhe për të na ndihmuar të arrijmë këtë sukses.

Kjo nuk është pak që e kemi arritur, sepse e kemi eliminuar një Maqedoni, e cila para disa viteve ka përfunduar e katërta në Kampionat Evropian. Kjo tregon shumë për suksesin që e kemi arritur. Po ashtu e kemi mposhtur një Estoni, e cila është një kombëtare e respektuar në basketbollin evropian.

Kur i rrumbullaksojmë të gjitha këto atëherë i bie që e kemi bërë një punë shumë të madhe. E kemi shkruar vërtetë një histori, sepse prej vitit të kaluar kur nuk arritëm të shënojmë asnjë fitore në kualifikimet për Eurobasket, kemi arritur që pas një viti të shënojmë dy fitore dhe atë shumë të rëndësishme.

Jam shumë krenar që e kam bartur shiritin e kapitenit, por në anën tjetër kjo edhe ka qenë përgjegjësi e madhe për mua, por në fund gjithçka është shpaguar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat