Shqiptari i Kosovës në Beograd mori pjesë në konferencën e organizuar nga FIBA dhe Federata e Serbisë!

Basketboll

Shqiptari i Kosovës në Beograd mori pjesë në konferencën e organizuar nga FIBA dhe Federata e Serbisë!

Më: 29 shtator 2017 Në ora: 11:16
Ilustrim

Kryetari i Shoqatës së Streetballit të Kosovës anëtare e FBK-ës dhe FIBA 3x3 Basketball, Agon Fehmiu ka marr pjesë në Konferencën e Parë Speciale për 3x3 të organizuar në Beograd nga FIBA Evropa dhe Federata e Basketbollit të Serbisë. Në këtë tubim morën pjesë 50 delegacione të federatave kombëtare të FIBA Evropës.   Në vazhdën e aktiviteteve të vazhdueshme për zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së lojës së basketbollit 3x3, Shoqata e Streetballit e Kosovës si anëtare e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe FIBA 3x3 Basketball, ka përfaqësuar vendin tonë në Konferencën e Parë Speciale të 3x3 të organizuar nga FIBA Evropa dhe Federata e Basketbollit të Serbisë, të enjten në Beograd.  

Pas vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë që basketbollin 3x3 ta pranojë si disiplinë të re olimpike e cila do të debutoi që nga LOV Tokio 2020, duke e përmbledhur këtë në moton tashmë të njohur “ 3x3 nga rruga deri tek Lojërat Olimpike”, FIBA ka shtuar aktivitetet e veta të planifikimit strategjik afatgjatë për zhvillimin dhe strukturimin sa më efikas të organizimit të garave në të gjitha nivelet, nga turnetë më të vogla deri tek Kampionatet Botërore dhe Olimpiadat, në të gjitha kategoritë.   

Roli i federatave kombëtare, rrjeti i garave, kualifikimi i ekipeve kombëtare dhe çelësi deri tek suksesi i sportit 3x3 ishin katër temat kryesore të konferencës së FIBA-së ku morën pjesë 50 delegacione të federatave kombëtare të FIBA Evropës.    

Në fillim, drejtori ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak ka shpjeguar arsyet pse KON-i ka pranuar 3x3-shin si sport të ri olimpik dhe pse kjo disciplinë e basketbollit është në qendër të vëmendjes së aktiviteteve kryesore të Bordit Qendror të FIBA-së.

“Bota e sportit është duke ndryshuar dhe ideja e KON-it është që edhe Olimpiadat të ndryshojnë dhe të bëhen më urbane, progresive, moderne, digjitale, gjithëpërfshirëse dhe më dinamike, thjeshtë duke e mbajtur hapin me ndryshimet e botës në të cilën po jetojmë, zhvillimin e një kulture të re urbane dhe teknologjisë informative e cila po e karakterizon epokën në të cilën po jetojmë. Përderisa KON-i ka zvogëluar numrin e sportistëve pjesëmarrës të disa disiplinave sportive në Tokio 2020, basketbolli është i vetmi sport i cili ka shënuar rritje. 8 ekipe në konkurrencën e meshkujve dhe 8 në atë të femrave me gjithsejt 64 sportistë, do të garojnë në olimpiadën e ardhshme” ka deklaruar Novak, duke shtuar se kjo është arsyeja pse FIBA tërë vëmendjen dhe potencialin e vet e ka përqëndruar në zhvillimin e 3x3-shit.

Drejtori për Zhvillim i FIBA 3x3 Basketball, Robert Rieblinger ka theksuar se organizimi i tubimeve të këtilla të njerëzve më kompetent dhe udhëheqësve të zhvillimit të lojës 3x3 nëpër shtetet evropiane, është shumë i rëndësishëm për këmbimin e përvojave dhe diskutimin e problemeve të ndryshme me të cilat po thuaj të gjitha shtetet ballafaqohen, gjatë organizimit të garave të 3x3 , si dhe mënyrën se si i qasen zgjedhjes së këtyre problemeve.   

“FIBA iu ka rekomanduar të gjitha federatave kombëatre që ta kenë së paku nga një profesionist të dedikuar veçanërisht për 3x3, si pjesë e strukturës udhëheqëse të federatave, i cili do të punojë në mënyrë efektive për zhvillimin e 3x3 në territorin e caktuar” ka thënë Reiblinger, duke ritheksuar rëndësinë e promovimit të përdorimit të platformës digjitale play.fiba3x3.com për regjistrimin e lojtarëve, respektimin e rregullave zyrtare të lojës dhe propozicioneve të garave.    

Ai po ashtu foli edhe për rëndësinë e promovimit të lojës 3x3 tek të gjitha kategoritë, duke filluar nga ato më të rejat U-12 e deri tek ajo më cilësore Open (e hapur, pa limite), në të dyja konkurrencat, meshkuj dhe femra.     

Krejt në fund, Rieblinger dhe Novak lavdëruan punën e të gjitha shoqatave dhe federatave që morën pjesë në këtë Konferencë duke theksuar nevojën për shtimin e kooperimit dhe këmbimit të përvojave ndërmjet të shoqatave 3x3 dhe federatave nacionale të basketbollit, për ta ngritur në nivel edhe më të lartë dhe më të organizuar sportin e basketbollit 3x3.  

Gjatë kësaj konference, Agon Fehmiu kishte takime të veçantë me Robert Rieblingerin me të cilin diskutuan mundësinë e organizimit të garës Challenger, nivelit të dytë më të lartë në kuadër të Uorld Tour. Po ashtu, Fehmiu takoi edhe pëfaqësuesit e Izraelit, Francës dhe Malit të Zi me të cilët diskutuan mundësit e zhvillimit dhe bashkëpunimit në organizimin e ngjarjeve 3x3.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat