Kështu nuk i ka hije Trepçës!

Basketboll

Kështu nuk i ka hije Trepçës!

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 25 tetor 2017 Në ora: 19:09
Kështu dukej dikur atmosfera në Mitrovicë

Debate

Kurrë nuk e kemi parë Trepçën kaq keq! Kurrë nuk e kemi parë në fund të renditjes pas javës së katërt të Superligës së Kosovës në basketboll (meshkuj). Qyteti i Mitrovicës pas luftës dhe deri pak vjetësh vlonte nga atmosfera e basketbollit, sot është i heshtur dhe i hutuar se çfarë po ndodhë me klubin e zemrës. Jo vetëm me Trepçën, në gjendje të palakmushme është edhe Peja, por pakëz më mirë me rezultate njëkohësisht edhe me lojtarë. Para një kohe një numër i njohësve të lojës së basketbollit kanë deklaruar: “Gabimi më i madh është që po derdhet shumë mjete në lojtarë të huaj dhe klubet nuk po e lënë një bazë të mirë me vendorë për të ardhmen”. Disa njohës e kishin paraparë se dikush nga klubet e mëdha një ditë do të mbetet me një skelet të lojtarëve shumë të rinj, të papërvojë dhe mund t’iu kushtojë shtrenjtë.

Këtë çmim në një formë po e paguan Trepça dhe më së miri e fakton se në katër javët e para kanë po aq humbje. E nisën edicionin me humbje të thellë në Mitrovicë nga Peja me rezultat 93:70. Në ndeshjen e dytë u mundën në kryeqytet nga Kerasan Prishtina me 83:76, ndërsa në javën e tretë si vendas pësoi debakël me 78:115 nga Golden Eagle Ylli i Therandës dhe së fundi, pësoi fiasko nga rivali më i madh, Sigal Prishtina me rezultat 108:42. Trepça ka realizuar 266 pikë e pësuar 399 sosh, apo e ka minus 133 pikë pikëdallimin. Kështu nuk të ka hije Trepçë, një skuadër me renome, dikur ke luftuar për trofe, e sot të vajtojnë. Trepça u dashtë të jetë një akademi e madhe dhe shembull edhe për disa shtetet e rajonit, jo të vjen në këtë pikë. Është evidente që i mungojnë disa lojtarë që kanë shkuar në ekipe tjera, e disa janë larguar për shkak të pakënaqësive dhe kësisoj klubi ka mbetur për ta vajtuar i madh dhe i vogël.

Trepçës i mungon një profil si i Naim Hajrizit, Artan Mehmetit apo edhe Drilon Hajrizit, ky ende aktiv dhe luan për Sigal Prishtinën. Është tronditëse se si Trepça ka rënë në këtë pozicion, që pa dyshim fajin e bartin edhe disa që kanë udhëhequr këtë klub, për shkak se u dashtë të lëvizin çdo guri dhe mos të lejojnë klubi të bie në këtë pozicion ku është, mbase trishtuese edhe për vet tifozët “Torcida”.  Dikush duhet të jap llogari pse ka ardhur klubi në këtë gjendje të mjerueshme, jon të heshtin, sepse qyteti i xehetarëve mburrej me sukseset e këtij kolektivit në të kaluarën. Jo vetëm Trepça, por disa klube me investimet që bënë me qindra mijëra apo miliona euro pas luftës, pra në prurjen e lojtarëve të huaj, tani po shihet se sa iu kanë lënë pasoja. Sepse brumi ynë vazhdimisht u varfërua, nuk u pagua, nuk u çmua, lojtarëve të rinj pothuajse pak klube ose fare nuk iu dhanë hapësirë. Disa nga talentet e mëdhenj kishin braktisur edhe lojën e basketbollit në pamundësi të gjejnë një vend.

Hiq më larg se në vitin 2004-2005,  kur e kishim një Superligë pothuajse tërësisht me lojtarë të huaj. Klubet startonin me pesëshin e parë krejtësisht me lojtarë të huaj, pa asnjë shqiptar, por kjo politike e “mençur dhe shumë e mençur” e shumicës së klubeve e ka prurë në këtë gjendje basketbollin. Sigal Prishtina shëtitë ligën, sepse ka mbledhur ajkën e lojtarëve më të mirë, ndërsa të tjera luten mos të humbin nga ajo me diferencë të madhe. Shikueshmëria në pikën më kritike, apo thuajse zero.  Shihet se klubet tani mezi mbahen në këmbë, rrezikon edhe liga të çrregullohet nëse ndonjëra nga to nuk ka edhe buxhetin të ekzistojë deri në fund të kampionatit! Ky është mjerimi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat