Berisha: Askush nuk kishte besuar te Prishtina

Basketboll

Berisha: Askush nuk kishte besuar te Prishtina

Nga: Kemajl Goca Më: 26 tetor 2017 Në ora: 18:49
Dardan Berisha në veprim

Basketbollisti Dardan Berisha apo motori i skuadrës së kampionit të Kosovës, Sigal Prishtina, është optimistë se do ta kalojnë grupin në FIBA Europe Cup. Kur Berisha është në formë, askush nuk mund t’i dalë para Prishtinës, e cila ka një serie të shkëlqyeshme, dy fitore në grupin G, në Mons me rezultat 74:72 kundër Belfius Mons dhe së fundi në Prishtinë e gjunjëzuan me 76:65 ekipin ukrainas Khimik. Nesër në orën 18.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, bardhekaltrit sërish do të ndeshen me Khimik, kësaj radhe në cilësinë e mysafirit, me pajtimin e të dyja skuadrave, për faktin se shteti i Ukrainës nuk i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Prishtina apo lideri i grupit kërkon fitoren e radhës.

“Bota sot”: Prishtina me dy fitore rresht në Europe Cup, a  besoni se nesër do të fitoni sërish ndaj Khimik?

Dardan Berisha: Besojmë edhe pse nuk ka me qenë lehtë. Khimik lufton për jetë dhe nëse humbin nesër për ta gjithçka përfundon, tjetrën anë ne luajmë në Prishtinë, me fitore do të bëjmë një hap të madh drejt kalimit të grupit.

“Bota sot”: Ku është forcat e Prishtinës ndaj rivalëve tjerë?

Dardan Berisha: Forca e Prishtinës është mbrojtja dhe kolektivi, atmosfera e mirë brenda në ekip dhe krejt këto bashkë po na sjellin drejt fitoreve.

“Bota sot”: Këto fitore janë befasi apo si fryt i lojës së përsosur të Prishtinës?

Dardan Berisha: Askush nuk kishte besuar që Prishtina pas dy ndeshjeve do t’i ketë dy fitore, por ne kemi punuar tepër shumë dhe jemi përgatitur maksimalisht për këto ndeshje.

“Bota sot”: A besoni se Prishtina do të jetë në dy vendet e para dhe ta siguron kalimin më tutje?

Dardan Berisha: Kurrgjë s’ka përfunduar, ende kemi lojë, jemi në rrugë të mirë për me kaluar grupin, por duhet që së pari të premten (nesër) të fitojmë dhe të përgatitemi për ndeshjet e radhës. Me këtë ritëm besojmë që do ta kalojmë grupin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat