Rugova: Prishtina ka gjasa edhe sot të fitojë kundër ukrainasve

Basketboll

Rugova: Prishtina ka gjasa edhe sot të fitojë kundër ukrainasve

Nga: Kemajl Goca Më: 27 tetor 2017 Në ora: 11:05
Granit Rugova

Sonte në orën 18.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, Sigal Prishtina sërish do të ndeshet me Khimik nga Ukraina, kësaj radhe në cilësinë e mysafirit, me pajtimin e të dyja skuadrave, për faktin se shteti i Ukrainës nuk i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Kjo ndeshje është e xhiros së tretë të grupit G të Europe Cup në basketboll. Prishtina apo lideri i grupit kërkon fitoren e radhës. Prishtina kryeson tabelën me 4 pikë, një më shumë se Buyukcekmece e Belfius Mons, ndërsa Khimik është i fundit me 2 pikë. Sonte pritet atmosferë e zjarrtë në Prishtinë, sidomos ‘’Plisat’ ta përkrahin ekipin e zemrës drejt fitores së radhës. Granit Rugova tha se kanë përparësitë në qendra. “Besoj që me angazhim të njëjtë kemi gjasa edhe sot të fitojmë. Jemi në një ritëm të mirë. Ekipi po kalon momente të mira në palestër edhe besoj që prapë do t’i mposhtim. Kemi përparësi në qendra, se ata i kanë shumë më të rënda dhe të ngadalshëm.

Në ndeshjen e të mërkurës mbrëma pothuajse në të gjitha çerekët ishin më të mirë dhe arritëm një fitore bindëse. Është fitorja e dytë rresht në Europe Cup, kjo është një pasqyrë fantastike jo vetëm për basketbollin për në përgjithësi sportin tonë. Prishtina po dëshmon se është skuadra më e organizuar, me një lojë jashtëzakonisht të mirë dhe po reflekton me rezultate. Dy fitore rresht janë si rezultat i punës, angazhimit dhe cilësisë. Fitorja në Mons ka qenë një motiv i madh për fitoren e radhës në kryeqytet. Tifozët ‘Plisat’ janë forca kryesore e lojës tonë. Ata me përkrahje po na japin zemër.

Besoj se në takimin e sotëm do të shfaqim lojën ngjashëm sikurse të mërkurën, e cila do të na përforcojë edhe më shumë në kreun e grupit G dhe të jemi sa më afër kualifikimit. Janë zhvilluar deri me tash dy ndeshje, i kemi edhe katër të tjera dhe besoj e shpresoj se do të dalim gjithnjë e më mirë dhe që do të jetë një dhuratë për tifozët tanë ‘Plisat’, kryeqytetin dhe gjithë Kosovën e kudo shqiptarët që jetojnë e veprojnë, sepse secili i gëzohet suksesit tonë në garën prestigjioze në Europe Cup”, tha Rugova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat