Pak surpriza në ndeshjet e luajtura sot në NBA, me kampionët e Golden State që fitojnë 121-105 ndaj Clippers, duke korrur suksesin e 33-të sezonal. Skuadra kampione e dominoi ndeshjen dhe meritoi fitoren, që erdhi nga duart e Curry, autor i 45 pikëve, ndërsa për Clippers nuk mjaftuan 23 pikët e Lou Williams për të evituar humbjen. Kjo fitore shkëput edhe më tepër Golden State nga rivalët, duke përfituar edhe nga humbja e Houston, që u mund 108-101 nga Detroit. Një ndeshje me rivalitet në pjesën e parë, por në të dytën erdhi shkëputja e Pistons, që triumfuan falë 27 pikëve të Harris. Për Houston vendimtare mungesa e Harden. Indiana arrin një fitore të lehtë ndaj Chicago me shifrat 125-86, sfidë ku u dalluan Oladipo me 23 pikë e Sabonis me 22, ndërsa Sacramento mundi 106-98 Denver falë një loje të mirë kolektive (7 lojtarë realizuan mbi 10 pikë).
Në Lindje vijon dueli i kreut mes Boston dhe Cleveland, teksa të dyja skuadrat pretendente sot kanë regjistruar fitoret e radhës. Boston triumfoi në sekondat e fundit 87-85, një ndeshje me rivalitet përgjatë gjithë kohës. Dinwiddie realizoi 20 pikët për Brooklyn, por nuk ia doli dot mbanë t’i jepte fitoren skuadrës së tij, ndërsa për Boston u dallua Kyrie Irving, autor i 21 pikëve. Me vështirësi fitoi edhe Cleveland, që mundi 131-17 Orlando në një ndeshje spektakolare. Miqtë e dominuan ndeshjen, u shkëputën deri në 25 pikë, por në fund rrezikuan ta humbisnin atë. LeBron James realizoi 33 pikë e 10 rebaund, mbështetur edhe nga Love me 27 pikë, duke i bërë të pavlefshme 30 pikët e Gordon për vendasit. Milwaukee mposhti 110-103 Washington në fushën e këtij të fundit, sfidë emocionuese në minutat e fundit, me Beal që realizoi 20 pikë për vendasit, por që mbetën për statistikë. Antetokounmpo realizoi 34 pikë e 12 rebaund për Milwaukee, duke qenë lider në fushë.
REZULTATET E SOTME
Clippers – Golden State, 105-121
Brooklyn – Boston, 85-87
Detroit – Houston, 108-101
Indiana – Chicago, 125-86
Orlando – Cleveland, 127-131
Washington – Milwaukee, 103-110
Minnesota – New Orleans, 116-98
Sacramento – Denver, 106-98