‘Xhebrailat’ kanë shpalosur një baner, i cili ka irritur tej mase gjithë tifozët sportdashës...

Basketboll

‘Xhebrailat’ kanë shpalosur një baner, i cili ka irritur tej mase gjithë tifozët sportdashës...

Më: 22 janar 2018 Në ora: 14:09
Pamje nga tifozët Xhebrailat

Kryesia e KB Golden Eagle Ylli nëpërmjet një shkrese dërguar të hënën në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka reaguar dhe e ka dënuar ashpër veprimin e tifozëve të tyre “Xhebrailat” në ndeshjen e së shtunës kundër KB Rahoveci, që është zhvilluar në kuadër të xhiros së XVI në IP Superligën e Kosovës.

Tifozët “Xhebrailat” pak çaste para fillimit të ndeshjes, kur lojtarët tashmë ishin paraqitur në parket, e kanë shfaqur një pankartë me mbishkrimin "Rahovec=Made in Bugaria", e cila assesi nuk përputhet me vlerat që i promovon Federata e Basketbollit e Kosovës, si institucioni më i lartë i basketbollit në vendin tonë. Në shkresën dërguar FBK-së, kryesia e KB Golden Eagle Yllit është distancuar nga ky veprim i tifozëve të tyre.

“Në ndeshjen e luajtur KB Golden Eagle Ylli - Rahoveci java e XVI, tifozët Xhebrailat kanë shpalosur një baner, i cili ka irritur tej mase gjithë tifozët sportdashës të Suharekës. Në takimin e Bordit të KB Golden Eagle Yllit, të mbajtur sot më datë 22/01/2018 reagon dhe dënon ashpër çdo baner fyes ndaj tifozëve mysafirë dhe distancohet nga ky veprim. Me këtë rast kërkojmë ndjesë ndaj të gjithë tifozëve rahovecas dhe premtojmë që nuk do të përsëriten skena  të tilla. Gjithashtu ftojmë edhe grupin e tifozëve ‘Xhebrailat’ t’i bashkëngjiten kërkesës për ndjesë për incidentin në fjalë. Shpresojmë që Sporti do të mbizotërojë mbi të gjitha dhe të merret parasysh sjellja shembullore e tifozëve suharekas në këto 4 vite në Superligë. Me respekt, Bordi i KB Golden Eagle Yllit”, thuhet nga KB Golden Eagle Ylli.

Ndërkaq FBK për rastin në fjalë do të marr vendim konform Propozicioneve të Garave të edicionit 2017/18, vendim ky që do të publikohet të martën në informatorin e përgatitur nga Komesari i Garave të FBK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat