Belegu: Erdhi momenti i transformimit për sportin në Kosovë - Bota Sot
Belegu: Erdhi momenti i transformimit për sportin në Kosovë

Basketboll

E diel, 18 shkurt 2018

Belegu: Erdhi momenti i transformimit për sportin në Kosovë

Më: 23 janar 2018 Në ora: 18:10
Belegu

Të martën ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar Rregulloren për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponsorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, përmes së cilës përcaktohen kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për sponsorizime, lëshimin e vërtetimit dhe formën e tij si dhe procedurën e raportimit vjetor për sponsorizimin e realizuar.

Sipas rregullores parashihet që dhënësit e sponsorizimit, të cilët mund të jenë persona juridik ose fizik, vendor apo të huaj, aktivitetin e tyre duhet ta kenë të regjistruar, licencuar dhe fiskalizuar ndërkaq përfituesit qofshin ata fizik apo juridik, të këtij sponsorizimi duhet të jenë të regjistruar nëpër organizatat, institucionet përkatëse për kulturë, rini dhe sport qoftë në nivel lokal apo qendror.

Ndërkaq numri një i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu i është gëzuar tej mase këtij lajmi dhe është i bindur se ky është momenti i transformimit për sportin dhe kulturën në Kosovë:

“Sot nga Ministri i MKRS-së është nënshkruar rregullorja që rregullon procedurat e zbatimit të ligjit për sponsorizime dhe donacione në sport dhe kulturë.

Ky është hapi më i rëndësishëm që ka bërë Qeveria e Kosovës në periudhën e pasluftës.

Me anë të këtij ligji iu mundësohet bizneseve të cilat ndihmojnë sportin dhe kulturën të përfitojnë nga lehtësirat tatimore deri në 30%.

Kjo do të thotë që përshembull, bizneset që duhet të paguajnë 100.000 € tatim tani deri në 30.000€ mund të përkrahin Federatën e Basketbollit të Kosovës, kurse vlerën e mbetur prej 70.000€ e paguajnë në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Jam thellësisht i bindur që ky është momenti që sportin dhe kulturën në Kosovë do ta transformoj tërësisht. Urime të gjithëve”.

Ndërkohë ministri Kujtim Gashi në deklaratën e tij në faqen zyrtarë të MKRS-së e cilësoi këtë akt nënligjor jashtëzakonisht të rëndësishëm i cili do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përkrahjen më të madhe të aktiviteteve që planifikohen të organizohen në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit.

“Përmes kësaj rregulloreje qartësohet mënyra dhe procedurat e sponsorizimit për ata që duan ta bëjnë një gjë të tillë. I inkurajoj bizneset dhe të interesuarit e tjerë që të sponsorizojnë në kulturë, rini dhe sport, sepse kësisoj do të rritet numri i aktiviteteve dhe do të avancohen këto fusha. Synojmë që përmes kësaj politike të re do të ngritët edhe cilësia”, tha ministri Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test