Keta-Feigenbutz prezantojnë superduelin e boksit

Boksi

Keta-Feigenbutz prezantojnë superduelin e boksit

Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 22:22
Posteri i ndeshjes

Dita e madhe e boksit kuqezi po afron me një tjetër duel që ngjit në skenë boksierin shqiptar më të suksesshëm të viteve të fundit. Mike Gjetan Keta sfidon të riun gjerman Vincent Feigenbutz në datën 3 Dhjetor për titullin vakant Interkontinental të Federatës IBF në një duel titanësh që do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në pakëten Supersport. 21-vjeçari gjerman që cilësohet një nga shpresat më të mëdha të ringut vendas, do të presë në Karlsruhe boksierin shqiptar që kërkon të hedhë një hap të madh në karrierën e tij. Karlsruhe është shtëpia e të riut gjerman që në konferencën për shtyp përpara peshimit të dy boksierëve theksoi se zemra e tij rreh vetëm për fitore dhe do të kërkojë që këtë sfitë ta mbyllë me nokaut. “Mike Keta është një profesionist dhe si çdo kundërshtar ka respektin tim. Ai është një hero në vendin e tij në Shqipëri, por unë dua ta fitoj këtë titull për vendin tim, Gjermaninë”, shtoi 21-vjeçari i lindur në Karlsruhe.

Në krahun tjetër, boksieri nga Bulqiza u tregua më i përmbajtur duke theksuar se e respektoin kundërshtarin por ai ka objektiv vetëm fitoren në këtë duel. Kjo përballje është një prej më të rëndësishmeve në karrierën e Gjetan Ketës. Boksieri shqiptar që garon në peshën super të mesme, numëron 24 ndeshje në karrierën si profesionist me 21 fitore, 17 prej të cilave me nokaut. Fazën përgatitore për këtë përballje ai e ndau në dy pjesë. Fillimisht ai u stërvit bashkë me vëllain dhe trajnerin e tij, Ismail Keta në Alpet e Austrisë dhe më pas u zhvendos në bregredin e Durrësit. Në krahun tjetër, Vincent Feigenbutz numëron 29 ndeshje me vetëm dy humbje në karrierën e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat