Shala, optimist se do t’i shkaktojë humbjen e parë suedezit

Boksi

Shala, optimist se do t’i shkaktojë humbjen e parë suedezit

Nga: Kemajl Goca Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 18:17
Shala e Skoglund

Boksieri shqiptar, Shpëtim Shala, është përgatitur maksimalisht për meçin e të premtes (me 9 dhjetor, rreth orës 22.00), kundër suedezit Erik Skoglund. Shala është optimist i madh se do të triumfojë dhe do të stoliset me titullin e “WBA Intercontinental”. Meçi në mes boksierit pejan dhe suedezit, do të zhvillohet në Nykoping të Suedisë. Shala deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot” se e kanë pritur fort mirë në Nykoping dhe konsideron se është i gatshëm në çdo aspekt që të futet në ring dhe me synime vetëm për fitore. Boksieri nga Kosova deri më tani ka realizuar 21 fitore, 8 me ndërprerje, ndërsa  ka një barazim dhe një humbje, kurse Skoglund ka 25 fitore rresht,  prej tyre 11 me ndërprerje.

"Bota sot”:  Përballeni me boksierin Skoglund për titullin “WBA Intercontinental” sa jeni të përgatitur?

Shpëtim Shala: Jam i përgatitur shumë mirë, e kam dhënë maksimumin në stërvitje plot tre muaj dhe ndihem shumë mirë.

“Bota sot”: Sa keni mundur te adaptoheni me atmosferën në Nykoping?

Shpëtim Shala: Ndihem shumë mirë këtu, e kemi pas një pritje shumë të mirë nga vendasit. I kam takuar disa bashkatdhetarë që jetojnë dhe veprojnë këtu dhe kalova shumë mirë me ta. Me duhet më e cekë se edhe qytetarët suedez të Nykopingut me kanë pritur shumë mirë dhe me plotë respekt.

“Bota sot”: Ku është arma më e fortë ndaj boksierit suedez?

Shpëtim Shala: Mendoj se dëshira e madhe për fitore.

“Bota sot”: Erik Skoglund, ka 25 fitore rresht, 11 me ndërprerje, e paralajmëroni se do të pësojë humbjen e parë?

Shpëtim Shala: Do ta jap atomin e fundit që e kam në trup, që t’ia shkaktojë humbjen e parë dhe mendoj se kam me ia arritur qëllimit.

“Bota sot”: Në rast të fitores, cili është misioni i radhës?

Shpëtim Shala: Ëndrra më e madhe dhe qëllimi më i madh i imi është që të boksojë për titullin e kampionit Botëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat