Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bërë të ditur se, vetëm në dy ditët e fundit 27 fëmijë janë vrarë dhe 136 të tjerë janë të plagosur.
Derisa talebanët po përparojnë në një luftë vdekjeprurëse me forcat afgane, Fondi i Emergjencës i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) tha se secila nga këto vuajtje dhe secili rast i vuajtjeve fizike është një tragjedi personale.
“Këta fëmijë janë vajza dhe djem, vëllezër dhe motra, kushërinj dhe miq shumë të dashur e të dëshiruar”, tha UNICEF.
Përveç kësaj situate të tmerrshme, tha UNICEF, po ashtu janë shumë shqetësuese raportet që fëmijët rekrutohen gjithnjë e më shumë nga grupet e armatosura.
“Vetëm një fund i plotë i armiqësive mund të mbrojë fëmijët e Afganistanit. Për sa kohë që konflikti vazhdon, rrezikohet e drejta e fëmijëve për të lulëzuar, rrezikohet e ardhmja e tyre dhe zvogëlohen kontributet e tyre në prosperitetin e kombit të tyre”, paralajmëroi UNICEF.
Provinca e trazuar jugore Kandahar është ndër më të prekurat për sa i përket viktimave fëmijë të luftës.
Dr. Mohammad Dawood, kreu i një spitali rajonal në Kandahar, për AA tha se të paktën 20 fëmijë humbën jetën javën e kaluar në këtë provincë.
Misioni i Asistencës i OKB-së në Afganistan ka dokumentuar një shifër alarmante prej 5.183 viktimash civile, 1.659 të vrarë dhe 3.524 të plagosur, të gjithë në gjysmën e parë të këtij viti apo 47 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.