Mbretëria e Bashkuar, ShBA, Franca dhe Gjermania theksojnë angazhimin për mbështetjen e Ukrainës

Bota

Mbretëria e Bashkuar, ShBA, Franca dhe Gjermania theksojnë angazhimin për mbështetjen e Ukrainës

Më: 21 gusht 2022 Në ora: 23:10
Foto ilustrim

Kryeministri Boris Johnson ka folur sot me liderët e ShBA-së, Francës dhe Gjermanisë në një thirrje të përbashkët për sigurinë dhe diplomacinë ndërkombëtare.

Një zëdhënës i Downing Street tha se Johnson, Biden, Macron dhe Scholz “theksuan angazhimin e tyre të palëkundur për të mbështetur Ukrainën përballë pushtimit rus”.

“Ata theksuan rëndësinë e garantimit të sigurisë së instalimeve bërthamore dhe mirëpritën diskutimet e fundit për mundësimin e një misioni të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në objektin e Zaporizhzhia”, shtoi zëdhënësi.

Centrali më i madh bërthamor në Evropë është kontrolluar nga Rusia që në ditët e para të pushtimit.

Ka pasur bombardime të shpeshta pranë termocentralit në Ukrainën juglindore, me të dyja palët që fajësojnë njëra-tjetrën mes frikës për një aksident bërthamor atje.

Zëdhënësi tha gjithashtu se katër liderët diskutuan prioritete të tjera të përbashkëta, duke përfshirë Iranin dhe “përpjekjet e përbashkëta për të penguar aktivitetet destabilizuese rajonale të Iranit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat