Shpërthen bomba pranë një xhamie në Kabul, të paktën shtatë të vdekur

Bota

Shpërthen bomba pranë një xhamie në Kabul, të paktën shtatë të vdekur

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 10:48
Foto nga vendi i ngjarjes

Një veturë bombë shpërtheu ndërsa besimtarët po dilnin nga një xhami në Kabul, duke vrarë të paktën shtatë persona dhe duke plagosur 41 persona, përfshirë disa fëmijë, raporton associated press.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Abdul Nafi Thakor tha se një automjet që mbante eksploziv ishte parkuar në anë të rrugës pranë xhamisë dhe bomba shpërtheu ndërsa besimtarët po largoheshin pas lutjeve të së premtes.

Ai shtoi se policia ndodhet në vendngjarje dhe se hetimet janë duke vazhduar.

Spitali italian në Kabul njoftoi se ka pranuar 14 persona të plagosur, katër prej të cilëve kanë vdekur gjatë dërgimit për shërim.

Zëdhënësi i shefit të policisë së Kabulit, Khalid Zadran, tha se besimtarët ishin shënjestruar qëllimisht teksa po largoheshin nga xhamia Wazir Akbar Khan.

“Vendosja e një bombe në xhami dhe vrasja e besimtarëve është një krim i pafalshëm, kombi duhet të bashkëpunojë me regjimin në eliminimin e kriminelëve”, tha zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kabul shkroi në Twitter se bombardimi ishte një tjetër “kujtues i hidhur i pasigurisë së vazhdueshme dhe aktiviteteve terroriste në Afganistan”.

Shteti Islamik ka qenë rivali kryesor i talebanëve që kur ata morën pushtetin në Afganistan pak më shumë se një vit më parë, dhe më parë sulmuan xhamitë dhe besimtarët, veçanërisht anëtarët e pakicës shiite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat