Irani i gatshëm për t’u hetuar mbi gjurmët e uraniumit në objektet e padeklaruara

Bota

Irani i gatshëm për t’u hetuar mbi gjurmët e uraniumit në objektet e padeklaruara

Më: 4 mars 2023 Në ora: 21:16
Foto nga takimi

"Irani është i gatshëm të ofrojë më shumë informacion dhe qasje për hetimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), që ka ngecur prej kohësh, mbi grimcat e uraniumit të gjetura në tre objekte të padeklaruara në Iran”, thanë palët në një deklaratë të përbashkët të lëshuar ditën e sotme.

"Irani shprehu gatishmërinë për të ofruar informacion dhe qasje të mëtejshme për të trajtuar çështjet e pazgjidhura mbi masat mbrojtëse," thuhet në deklaratën e përbashkët.

Në një raport konfidencial të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i parë nga agjencia e lajmeve Reuters, thuhet se shefi i agjencisë Rafale Grossi "pret me padurim ... zbatimin e shpejtë dhe të plotë të Deklaratës së Përbashkët".

Marrëveshja përfshin ri-instalimin e pajisjeve të monitorimit dhe qasjen e personave të autorizuar në kuadër të një hetimi mbi gjurmët e uraniumit në objektet e padeklaruara.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Grossi tha se takimet pasardhëse të përmendura në deklaratë do të ndodhin "shumë, shumë shpejt".

Të premten dhe të shtunën zoti Grossi zhvilloi takime me zyrtarët iranianë në Teheran, që sipas diplomatëve, kishin për qëllim të shtynin Iranin të bashkëpunonte për një hetim të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për gjurmët e uraniumit të gjetura në objektet e padeklaruara që ishte i pasuruar afër shkallës së duhur për armë bërthamore.

Sipas një raporti nga agjencia bërthamore e OKB-së, të parë nga agjencia e lajmeve Reuters, vizita erdhi pas kontakteve me Teheranin mbi origjinën e grimcave të uraniumit të pasuruara deri në 83.7% pastërti, shumë afër shkallës 90% që nevojitet për armatimin bërthamor, në uzinën nëntokësore të pasurimit Fordow.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 2015 me gjashtë fuqitë botërore, Irani frenoi programin e tij të diskutueshëm të pasurimit të uraniumit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ndërkombëtare. Por marrëveshja filloi të mos zbatohej në vitin 2018 pasi Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit, duke bërë që Teherani të fillojë të shkelë kufijtë e rreptë të marrëveshjes për pasurimin.

Vonesat e nxjerra nga Irani ndaj një hetimi të gjatë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për gjurmët e uraniumit të gjetura në tre vende të padeklaruara, bënë që Bordi i Guvernatorëve të kësaj agjencie me 35 vende anëtare, të miratonte një rezolutë në nëntor, duke urdhëruar Teheranin të bashkëpunonte urgjentisht për hetimin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat