Kontrolli i turmave gjatë Umres: Si autoritetet saudite po ofrojnë sigurinë e pelegrinëve, përfshirë përdorimin e Inteligjencës Artificiale

Bota

Kontrolli i turmave gjatë Umres: Si autoritetet saudite po ofrojnë sigurinë e pelegrinëve, përfshirë përdorimin e Inteligjencës Artificiale

Më: 7 prill 2023 Në ora: 07:50
Foto ilustrim

Që kur Arabia Saudite hoqi kufirin e numrit të pelegrinëve të lejuar për të kryer Umren në të njëjtën kohë, qindra mijëra myslimanë në mbarë botën ia kanë mësyrë Mekës për pelegrinazh.

Dhe autoritetet kanë ndërmarrë politika dhe iniciativa të shumta për të siguruar që pelegrinët të jenë gjithmonë të sigurt në vendet e shenjta.

Kështu, përreth vendeve të shenjta, personeli i caktuar ndihmon në menaxhimin e turmave që kryejnë Umren, shkruajnë mediat e huaja.

Gjatë “tavafit”, kur myslimanët sillen rreth Qabes, mund të jetë sfiduese për individët që të lëvizin nëpër grupe të mëdha njerëzish.

Andaj, oficerët e stacionuar marrin trajnime për të parandaluar problemet dhe për të udhëhequr njerëzit në mënyrë të organizuar.

Sipas Drejtorit të Sigurisë Publike të Mbretërisë, gjenerallejtënant Mohammed bin Abdullah al-Bassami, forcat e sigurisë së Umrës do të zbatojnë planin e Ministrisë së Brendshme për të menaxhuar dhe organizuar turmat, kontrollin e trafikut, ofrimin e shërbimeve humanitare dhe trajnimin e personelit në terren.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, gjeneral-major Hammoud bin Suleiman al-Faraj u tha gazetarëve në një konferencë shtypi se të gjitha ekipet janë të përgatitura për të trajtuar fluksin e madh të besimtarëve, veçanërisht gjatë Ramazanit.

“Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile ka përfunduar përgatitjet e saj në të gjitha vendet e frekuentuara nga pelegrinët dhe vizitorët për të garantuar gatishmërinë, parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarri, veçanërisht në zonat ku ka densitet të lartë”, tha ai.

“Mbrojtja Civile ishte koordinuar me autoritetet për të marrë masa ligjore duke zbatuar rregulloret dhe duke kontrolluar shkeljet”, shtoi al-Faraj.

Përdorimi i teknologjisë AI

Në mars, al-Bassami njoftoi se Mbretëria do të zhvillonte algoritme të inteligjencës artificiale për të ndihmuar në menaxhimin e turmës dhe për të përmirësuar shërbimet për pelegrinët që vizitojnë vendet e shenjta.

Në këtë drejtim, personeli në terren do të përdorë AI për të ofruar shërbimet më të mira për pelegrinët.

Sipas al-Bassami, teknologjitë e inteligjencës artificiale të prezantuara kohët e fundit rreth xhamive kanë ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të turmave ndërsa hyjnë dhe dalin, falë vendimmarrjes më të shpejtë, duke siguruar që jo më shumë se numri i duhur i njerëzve të jenë të pranishëm kudo përreth vendeve, në çdo kohë të caktuar.

Falë këtyre teknologjive, ai shtoi se çdo emergjencë e lidhur me turmën trajtohet menjëherë.

Mbrojtja e fëmijëve

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, Xhamia e Madhe pret një fluks të fëmijëve që shoqërojnë familjarët e tyre në Umre.

Si masë parandaluese, Agjencia për Shërbime Sociale, Vullnetare dhe Humanitare e Grave nisi një iniciativë për t’i dhënë çdo fëmije një byzylyk me të dhënat e tij personale në rast se ata humbasin.

Byzylyku liston emrin e fëmijës, të dhënat dhe informacionin e kontaktit të të rriturit shoqërues të tij për t’u siguruar që ata t’u kthehen anëtarëve të familjes së tyre nëse i humbasin nga sytë në turmë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat