Gjenden “mbetje” gjatë kërkimit për nëndetësen e humbur

Bota

Gjenden “mbetje” gjatë kërkimit për nëndetësen e humbur

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 18:54
Nëndetësja Titan e zhdukur në Atlantik. Fotografi nga arkivi.

Një “fushë me mbetje” është zbuluar nga një robot nënujor që po bënte kërkim afër rrënojave të anijes “Titanik”, për një nëndetëse të humbur në atë zonë.

“Ekspertët po e vlerësojnë këtë informacion”, ka thënë Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Twitter.

Një ekip shumëkombësh për kërkim-shpëtim po vazhdon kërkimet nga deti dhe ajri për nëndetësen e zhdukur, e quajtur Titan.

Nëndetësja me pesë turistë në bord u nis të dielën drejt rrënojave të Titanikut, por humbi kontaktin një orë e 45 minuta pas nisjes. Ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën pasi nëndetëses besohet se i kanë mbetur vetëm disa orë furnizime me oksigjen.

Nëndetësja Titan, që operohet nga kompania me seli në Shtetet e Bashkuara, OceanGate, ishte nisur drejt anijes së fundosur Titanik të dielën në orën 08:00 sipas kohës lokale. Nëndetësja humbi kontaktin me anijen mbështetëse më pak se dy orë pas nisjes drejt Titanikut në Oqeanin Atlantik.

Titan nisi ekspeditën me 96 orë furnizime me oksigjen, tha kompania OceanGate, që nënkupton se furnizimet mund të harxhohen mëngjesin e së enjtes. Por, ekspertët thanë se sa gjatë mund të zgjasin furnizimet me oksigjen varet nga disa faktorë, sikurse nëse nëndetësja ende ka energji elektrike dhe sa të qetë qëndrojnë pasagjerët në bordin e saj.

Të mërkurën Rojet Bregdetare amerikane thanë se avionët kanadezë kanë dëgjuar zhurma nën ujë.

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë lëshuar nën ujë disa pajisje kërkuese në zonën ku janë detektuar zhurmat, por zyrtarët kanë paralajmëruar se zhurmat e detektuara mund të mos kenë ardhur nga nëndetësja Titan.

“Kur jeni në mes të ekipeve të kërkim-shpëtimit, ju gjithmonë keni shpresë”, tha kapiteni i Rojeve Bregdetare, Jamie Frederick, gjatë një konferencë për media të mërkurën.

“Sa i përket zhurmave, ne nuk e dimë se çfarë saktësisht janë ato”.

Frederick shtoi se analizat e të dhënave të marra nga bovat sonare “janë të paqarta”.

Pjesët e anijes së fundosur të Titanikut gjenden 3.810 metra në thellësi të detit, mbi 640 kilometra në jug të Njufondland të Kanadasë.

Pasagjerët në Titan kishin paguar nga 250.000 dollarë secili për këtë ekspeditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat