Uashingtoni: Rebelimi i Prigozhinit kundër Moskës tregon “krisje të madhe” në sundimin e Putinit

Bota

Uashingtoni: Rebelimi i Prigozhinit kundër Moskës tregon “krisje të madhe” në sundimin e Putinit

Më: 25 qershor 2023 Në ora: 21:34
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se rebelimi i shkurtër i komandantit të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë tregon "krisje serioze" në sundimin prej dy dekadash të Presidentit Vladimir Putin dhe "vë në dyshim premisën" e luftës së tij 16-mujore kundër Ukrainës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha në emisionin “This Week” të televizionit ABC, se lufta “ka qenë një dështim i rëndë strategjik për Putinin në pothuajse çdo front, qoftë atë ekonomik, ushtarak apo gjeopolitik”.

Po shohim se po shfaqen krisjet e para," tha zoti Blinken duke iu referuar rebelimit të Prigozhinit ndaj Presidentit Putin. “Nëse këto krisje do thellohen apo se ku do të çojnë kur kjo të ndodhë, është shumë e vështirë të thuhet. Nuk dua të spekuloj për të. Por nuk mendoj se e kemi parë aktin final”.

Kryediplomati amerikan tha se janë ende të paqarta pasojat e rebelimit të grupit Wagner kundër Moskës, një marshim që u ndërpre pak para se trupat mercenare të arrinin në kryeytetin rus.

Zoti Blinken tha se Presidenti Joe Biden foli me udhëheqësit perëndimorë nga vendpushimi presidencial Camp David, jashtë Uashingtonit si dhe bisedoi me zyrtarët amerikanë të sigurisë kombëtare, por nuk e kishte telefonuar Presidentin Putin.

Sekretari Blinken tha se “sfida e drejtpërdrejt ndaj autoritetit të Putinit” tregoi se lufta e Moskës në Ukrainë “është shoqëruar me pretendimet e rreme, se NATO-ja përbën kërcënim për Rusinë”.

Por ankesat e shpeshta të komandatit Prigozhin për zyrtarët e lartë tëmbrojtjes ruse janë përqendruar tek pretendimet se ata nuk po furnizonin mercenarët e tij me armë të mjaftueshme për të luftuar në Ukrainë.

Zoti Blinken tha se trazirat e krijuara në Rusi pas rebelimit të Yevgeny Prigozhinit "mund të ndihmojnë ukrainasit në frontin e betejës".

Por David Petraeus, gjeneral në pension i ushtrisë amerikane dhe ish-shefi i CIA-s, tha në emisionin "State of the Union" të rrjetit CNN se "për fat të keq, (rebelimi) nuk ka pasur një ndikim domethënës në vijat e frontit".

Ai tha gjithashtu se rebelimi i Prigozhinit e ka bërë Presidentin Putin "më të cënueshëm se kurrë më parë gjatë këtyre dy dekadave”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat