Protestuesit tentojnë të sulmojnë Zonën e Gjelbër në Bagdad, shkak njoftimet për djegie të Kuranit në Danimarkë

Bota

Protestuesit tentojnë të sulmojnë Zonën e Gjelbër në Bagdad, shkak njoftimet për djegie të Kuranit në Danimarkë

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 15:37
Foto ilustrim

Tensionet u ndezën sërish të shtunën të Irak pas një serie protestash të mbajtura së fundi në Evropë, gjatë të cilave në disa raste është djegur një kopje e Kuranit.

Pas njoftimeve se një grup ultranacionalistësh kishte djegur një kopje të Kuranit përpara ambasadës së Irakut në kryeqytetin danez, në Kopenhagë sot herë në mëngjez, me qindra protestues u përpoqën të sulmonin Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit. Në këtë zonë ndodhen ambasadat e huaja dhe ndërtesa e qeverisë së Irakut.

Dy ditë më parë, po në Bagdad protestues të zemëruar nga planet për djegie të një kopje të librit të shenjtë të islamit në Suedi, sulmuan ambasadën suedeze në këtë vend.

Të shtunën forcat e sigurisë i zmbrapsën protestuesit, duke i penguar ata që të shkonin drejt Ambasadës Daneze. Protestuesit kishin bllokuar urën Jumhuriya që çon tek Zona e Gjelbër.

Po në Irak, protestuesit dogjën tre autokolona që i përkisnin një projekti çminimi, të drejtuar nga Këshilli Danez për Refugjatët, në qytetin e Basrës në jug të vendit, sipas një njoftimi të policisë. Punonjësit e mbrojtjes civile njoftuan se nuk kishte “viktima në njerëz, por vetëm dëme materiale".

Kryeministri i Irakut ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Suedinë në shenjë proteste ndaj djegies së Kuranit në këtë vend.

Një azilkërkues irakian, i cili dogji një kopje të Kuranit gjatë një demonstrate muajin e kaluar në Stokholm, kishte kërcënuar të bënte të njëjtën gjë më 20 korrik. Megjithatë ai nuk i vuri flakën librit, po e shkelmoi, duke bërë të njëjtën gjë edhe me një flamur irakian, si dhe fotot e klerikut shiit me ndikim dhe udhëheqësit politik irakian Muqtada al-Sadr, si dhe të udhëheqësit suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei.

Në Suedi e drejta për të mbajtur demonstrata publike mbrohet nga kushtetuta dhe ligjet e blasfemisë u braktisën në vitet 1970. Policia në përgjithësi jep leje nëse beson se një tubim publik, mund të mbahet pa krijuar rreziqe të mëdha për sigurinë.

Të premten pasdite, mijëra vetë protestuan në mënyrë paqësore në Irak dhe vende të tjera me shumicë myslimane./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat