Kur konsiderohet shumë i moshuar për të drejtuar vendin një udhëheqës?

Bota

Kur konsiderohet shumë i moshuar për të drejtuar vendin një udhëheqës?

Më: 26 gusht 2023 Në ora: 18:27
Foto ilustrim

Në botën e sotme, njerëzit jetojnë më gjatë dhe vazhdojnë të jenë aktivë në moshë të shtyrë. Shumë politikanë vazhdojnë të qeverisin shumë vite pas moshës kur njerëzit dalin zakonisht në pension. Në prag të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2024, votuesit në Shtetet e Bashkuara kanë përballë dy kandidatët presidencialë më të moshuar në historinë e vendit.

Udhëheqësi i Kamerunit, 90 vjeçari Paul Biya është udhëheqësi më i moshuar në botë.

Në një takim të udhëheqësve amerikanë dhe afrikanë vitin e kaluar, ai u shfaq paksa i hutuar, ndërkohë që një ndihmës i thoshte se audienca po priste fjalimin e tij.

Zoti Biya ka shërbyer si president për 40 vjet - parlamenti fillimisht zgjati mandatin e tij dhe pastaj eliminoi tërësisht kufizimin e të shërbyerit në pozitën e presidentit.

Zëri i Amerikës i intervistoi kamerunasit duke fshehur fytyrat e tyre për të mbrojtur identitetin e tyre për shkaqe sigurie.

“Na drejton një njeri i moshuar dhe kjo do të thotë që nuk i kupton problemet e të rinjve,” thotë një kamerunase.

“Pavarësisht nëse je 30 apo 50 vjeç, secili mund të mbarojë mandatin dhe të largohet, jo të qëndrojë në detyrë për dekada sikur të ishte mbret. Nuk është mirë,” thotë një kamerunas tjetër.

Në moshën 86 vjeçe, Papa Françesku nuk udhëheq një shtet, por qëndron në krye të katolikëve të botës.

A ka rëndësi mosha?

“Mendoj se ka rëndësi. Megjithatë, bëj përjashtim, sepse ai është udhëheqës fetar. Ndoshta do të isha më e shqetësuar sikur të bëhej fjalë për figura politike,” thotë Karen Arias nga Kosta Rika.

“Mendoj se mosha nënkupton përvojë që njerëzit mund ta shfrytëzojnë për t’iu shërbyer të tjerëve,” thotë Sara Molano nga Ekuadori.

“Jo vetëm që duhet kufizim i moshës së udhëheqësit, por duhet të kufizohet mosha e njerëzve që e këshillojnë atë,” thotë Melisa Galindo nga Kolumbia.

Udhëheqësi suprem i Iranit, 84 vjeçari Ali Khomenei, është udhëheqësi që ka shërbyer më gjatë në Lindje të Mesme, që nga viti 1989. Iraniano-amerikanët kanë këto mendime për të.

“Në regjimin e Republikës Islamike, nuk përbën problem mosha, por sistemi,” thotë Shirin Zand Vakili.

“Bota e shekullit 21 është botë e rinisë, dhe me dijen që ekziston sot, ata duhet të jenë në poste të rëndësishme,” thotë Jamshid Sedghi.

Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara mund të zgjedhin presidentin më të moshuar në historinë e vendit. Në ditën e zgjedhjeve, Presidenti Joe Biden do të jetë 81 vjeç, dhe Donald Trump, kandidati kryesor republikan, do të jetë 78 vjeç.

Të dy ata kanë shfaqur herë pas here shenjat e moshës në momente të caktuara.

Zëri i Amerikës pyeti disa nga votuesit më të rinj amerikanë, në kampusin e Universitetit të Karolinës së Veriut.

“Kur fillon të plakesh, fillojnë rreziqet e shumta shëndetësore dhe nuk është mirë që një udhëheqës botëror papritmas të vdesë, si për shembull nga ndonjë goditje në zemër...” thotë Alex Blake.

“Varet se sa mendje-hapur është udhëheqësi në fjalë,” thotë Bek Salivich.

Një studim i botuar nga shtëpia botuese e Universitetit të Oxford thotë se udhëheqësit e moshuar, përforcojnë stereotipet negative rreth plakjes, por udhëheqësit e moshuar mund të befasojnë kur dëshmojnë se janë mendërisht dhe fizikisht të përgatitur për pozitat e tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat