Miratohet kërkesa e atletit Pistorius për lirim me kusht, 10 vjet pasi vrau të dashurën

Bota

Miratohet kërkesa e atletit Pistorius për lirim me kusht, 10 vjet pasi vrau të dashurën

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 19:33
Oscar Pistorius

Autoritetet në Afrikën e Jugut njoftuan të premten se atleti paraolimpik Oscar Pistorius do të lirohet me kusht pas nëntë vjetëve burg për vrasjen e të dashurës së tij Reeva Steenkamp. Ai do të lirohet më 5 janar.

I njohur për vrapin me proteza në të dyja këmbet, Pistorius u bë nga një kampion i garave paraolimpike në një të dënuar për vrasje. Gjyqi kundër tij tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës.

Pistorius qëlloi për vdekje të dashurën e tij Reeva Steenkamp në vitin 2013, në Ditën e Shën Valentinit.

Ai fillimisht u shpall fajtor për përfshirje në vrasje nga një gjykatë e lartë dhe u dënua me pesë vite burg në vitin 2014. Por, Gjykata e Lartë e Apelit në fund të vitit 2015 e shpalli atë fajtor për vrasje pas apelimit të prokurorëve. Në vitin 2016, kjo ia zgjati dënimin në 6 vite burg, shumë më pak se minimumi prej 15 vitesh burg që ishte kërkuar nga prokurorët.

Në vitin 2017, Gjykata e Lartë e rriti dënimin e tij në 13 vjet e pesë muaj burg, duke thënë se dënimi me 6 vjet burg ishte “jashtëzakonisht i ulët”.

“Zoti Pistorius do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi, me punë në komunitet dhe do të monitorohet nga autoritetet për t’u siguruar, që ai do t’i respektojë rregullat e lirimit me kusht deri në fund të dënimit”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shërbimit të Burgjeve, të publikuar të premten.

Para këtij vendimi, zëdhënësi i familjes së zonjës Steenkamp, Rob Matthews lexoi një deklaratë të nënës së saj June, që shpjegonte pasojat që vrasja e saj ka patur në familjen e saj.

“Nuk jam e bindur se Oscar është rehabilituar. Rehabilitimi kërkon që personi të marrë përgjegjësi të plotë për krimin, të thotë të vërtetën dhe më pas të pranojë pasojat”, thuhet në deklaratën e zonjës June Steenkamp, të lexuar nga zëdhënësi i falmijes Rob Matthews.

Pas publikimi të vendimit për lirim me kusht të atletit Pistorius, avokatja e familjes Steenkamp, Tania Koen tha për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk ishte një vendim i papritur.

June Steenkamp ishte e kënaqur që bordi i lirimit me kusht e kishte marrë në konsideratë deklaratën e saj, tha avokatja Koen.

“Ata kanë vendosur kushte të caktuara në vendimin për lirimin me kusht të zotit Oscar, sipas të cilave ai duhet të vazhdojë terapinë për menaxhimin e zemërimit”, tha avokatja Koen.

Avokati i zotit Pistorius nuk pranoi të bënte menjëherë komente lidhur me vendimin për lirimin me kusht.

Një numër faktorësh zakonisht merren në konsideratë nga bordi i lirimeve me kusht, përfshirë natyrën e krimit, mundësinë e përsëritjes së krimit, sjelljet në burg, gjendjen fizike dhe mendore dhe kërcënimet me të cilat mund të ndeshet një i burgosur, që lirohet me kusht.

Kërkesa e zotit Pistorius për lirim më kusht në mars nuk u miratua sepse ai nuk e kishte kryer minimumin e dënimit me burg, bazuar në rregullat e lirimit me kusht.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese tha në tetor se Pistorius kishte kryer gjysmën e dënimit të tij më 21 mars, që do të thotë se ai i përmbushte detyrimet për lirim me kusht pasi data e fillimit të dënimit të tij ishte korriku i vitit 2017, jo nëntori i vitit 2017./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat