Luftërat, uria dhe ndryshimi i klimës ndër sfidat më të vështira të OKB-së

Bota

Luftërat, uria dhe ndryshimi i klimës ndër sfidat më të vështira të OKB-së

Më: 6 janar 2024 Në ora: 19:36
Foto ilustrim

Luftërat e reja, uria dhe varfëria në rritje në një planet që po ngrohet janë ndër sfidat më të vështira me të cilat po përballet OKB-ja. OKB-ja nuk mund të bëjë shumë për zgjidhjen e këtyre çështjeve, në një botë me një të ardhme në të cilën ndikimi i kësaj organizate po zvogëlohet.

Lufta në Ukrainë tashmë ka hyrë në vitin e dytë, pa shenja për një paqe në një të ardhme të afërt. Puçet ushtarake destabilizuan pjesë të Afrikës në vitin 2023 dhe luftëra të reja dhe vdekjeprurëse shpërthyen në Sudan dhe Lindjen e Mesme.

OKB-ja ka patur pak sukses në ndaljen e gjakderdhjes në botë.

“Është veçanërisht sfiduese, sepse llojet e konflikteve me të cilat OKB-ja është përballur gjatë vitit 2023 kanë qenë pikërisht ato për të cilat OKB-ja është më pak e pajisur për t’i menaxhuar. Ato janë konflikte mes anëtarëve të mëdhenj të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Dhe kur ato vende janë të përfshira, OKB-ja ka hapësirë më të vogël veprimi”, thotë ekspertja Anjali Dayal nga Universiteti Fordham.

Kjo ndodh sepse Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund të përdorin veton për të bllokuar sanksionet dhe mjetet e tjera që Këshilli i Sigurimit mund të përdorë për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

Vitin e kaluar, ndasitë gjeopolitike u intensifikuan lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe që nga tetori lidhur me mbështetjen e Uashingtonit për luftën e Izraelit kundër Hamasit.

"Gjendja në Këshillin e Sigurimit tani është shumë acaruese", thotë Richard Gowan nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres nuk ishte në gjendje të zhbllokonte paralizën duke shfrytëzuar në dhjetor nenin 99 të Kartës së OKB-së, që është përdorur rrallë, për të nxitur Këshillin e Sigurimit që të miratojë një rezolutë për armëpushim humanitar në luftën Izrael-Hamas.

Shtetet e Bashkuara përdorën veton ndaj kërkesës së tij dhe Izraeli bëri thirrje për dorëheqjen e tij.

Lajmi nuk ishte shumë më i mirë as për përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së në terren.

“Helmetat blu”, forca paqeruajtëse e OKB-së, në vitin 2023 shënoi 75 vjetorin e themelimit.

Por përvjetori i saj përkoi me thirrjet nga Mali dhe Republika Demokratike e Kongos për largimin e forcave paqeruajtëse të OKB-së nga territoret e tyre. Ndërkohë Haiti po bën thirrje për një forcë ndërkombëtare për të ndihmuar në stabilizimin e vendit, por jo një forcë të udhëhequr nga OKB-ja.

Në Afrikë, udhëheqësit po i drejtohen më shumë forcave të organizatave rajonale për t'u marrë me krizat në zonën nën-Sahariane.

Kjo, së bashku me buxhetin e madh vjetor të paqeruajtësve prej më shumë se 6 miliardë dollarësh, ka ngritur pikëpyetje mbi efikasitetin, vlerën dhe nevojën për misionet e tanishme dhe të ardhshme të kësaj force të OKB-së.

“Në të ardhmen duhet të punojmë me shtetet anëtare për t’u siguruar që forcat që marrin pjesë në operacionet paqeruajtëse të OKB-së të jenë të përgatitura siç duhet për operacionet e tyre. Paqeruajtësit e OKB-së nuk duhet të merren me çështje të tjera si zbatimi i një marrëveshje ose ligji, por vetëm për ruajtjen e paqes. Për çështjet e tjera duhet të krijohen misione të tjera përkatëse”, thotë Jean-Pierre Lacroix, Zyrtar i OKB-së për Operacionet e Paqes.

Një moment shpresëdhënës erdhi në konferencën për ndryshimet klimatike në Dubai. Delegatët ranë dakord për herë të parë mbi nevojën për t'u distancuar nga karburantet fosile, një nga shkaktarët kryesorë të ngrohjes globale.

Me intensifikimin e ndryshimit të klimës, që po shkakton më shumë fatkeqësi natyrore, konflikte dhe pasoja të tjera globale, OKB-së po i kërkohet gjithnjë e më shumë të mobilizohet për të ofruar ndihma humanitare.

“Edhe kur ka hapësirë të zvogëluar politike për të ndërmjetësuar zgjidhje politike për konfliktet ose krizat humanitare, ekziston ende potenciali real për të bërë punë të rëndësishme në aspektin e ndihmave humanitare. Por, këto përpjekje duhet të financohen dhe mbështeten në mënyrë që të kenë një ndikim më të madh”, thotë ekspertja Anjali Dayal nga Universiteti Fordham.

Gjatë dekadave të fundit, shumë ekspertë kanë bërë thirrje për reforma në OKB, duke përfshirë zgjerimin e përfaqësimit në Këshillin e Sigurimit për të pasqyruar realitetet aktuale.

“OKB-ja ishte e paralizuar për periudha të gjata të Luftës së Ftohtë. Pra, fakti që po kalon edhe një herë një periudhë krize nuk do të thotë se ka vdekur. Unë mendoj se ka një nevojë reale për të menduar mbi mënyrën se si mund të bëhen ndryshime në strukturat e OKB-së”, thotë Richard Gowan nga Grupi Ndërkombëtar të Krizave.

Problemi, thonë analistët, është se nuk ka konsensus mbi mënyrën se si mund të përmirësohet Organizata e Kombeve të Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat