Gjykata ruse hedh poshtë padinë e nënës së Navalny

Bota

Gjykata ruse hedh poshtë padinë e nënës së Navalny

Më: 21 mars 2024 Në ora: 12:45
Alexei Navalny

Një gjykatë ruse hodhi poshtë një padi të ngritur nga Lyudmila Navalnaya, nëna e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny. Ajo akuzoi autoritetet ruse për neglizhencë ndaj trajtimit mjekësor të djali të saj.

Navalny, një kritik i vendosur i Vladimir Putinit vdiq muajin e kaluar, në moshën 47-vjeçare, në një burg të largët të Arktikut.

Rikujtojmë se Britania vendosi sanksione ndaj gjashtë personave që drejtonin burgun e Arktikut, ku lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny dha frymën e fundit. Të sanksionuarit, përfshirë kreun dhe pesë nënkryetarët e burgut, të cilët do të ndalohen të hyjnë në Britani.

Përveç kësaj, ata “ngrinë” asetet e tyre, sipas një deklarate nga ministri i Jashtëm britanik David Cameron.

“Është e qartë se autoritetet ruse e panë Navalny si një kërcënim dhe janë përpjekur vazhdimisht ta bëjnë që të heshtë”, tha Cameron në një deklaratë, duke justifikuar vendimin.

Britania ishte vendi i parë që vendosi sanksione në përgjigje të vdekjes së politikanit, për të cilin vendet perëndimore kanë fajësuar Kremlinin.

Vadim Konstantinovich Kalinin, i cili dyshohet se mbikëqyrte burgjet ku Navalny u mbajt në izolim deri në dy javë në të njëjtën kohë, është në mesin e të sanksionuarve, sipas një deklarate nga Zyra e Jashtme Britanike.

Pesë persona të tjerë janë vënë gjithashtu në shënjestër për “veprimtari që shkel të drejtën për të mos iu nënshtruar trajtimit ose dënimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues dhe të drejtën për jetë “, tha qeveria britanike.

Rusia, e cila ka mohuar përfshirjen në vdekjen e 47-vjeçarit, tha se ishte e papranueshme që Britania të ndërhynte në punët e saj të brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat