Ushtarakët amerikanë në Poloni përgatitje për kërcënimin rus
Ndërsa Rusia intensifikon ofensivën e saj në Ukrainën lindore, zyrtarët e komandës amerikane në Evropën Lindore thonë se është urgjentisht e nevojshme që NATO-ja të jetë e gatshme për një konfrontim të mundshëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Evropën Lindore, Myroslava Gongadze, bisedoi me komandantë amerikanë dhe polakë gjatë një ceremonie për transferimin e komandës amerikane në qytetin Boleslawiec të Polonisë.
Në kuadër të misionit në Evropën Lindore, ushtria amerikane ka vendosur dhjetë mijë trupa në Poloni, vija e parë e frontit të NATO-s. Këtë javë, Divizioni i Parë i Kalorësisë i Ushtrisë Amerikane mori kontrollin e bazës nga Divizioni i 3-të i Këmbësorisë.
Ushtria amerikane po punon ngushtë me aleatët e NATO-s për të frenuar armikun. Në vitin 2020, ajo riaktivizoi Korpusin e Pestë, duke intensifikuar komandën dhe kontrollin për forcat aleate dhe partnere në Evropë.
Gjenerali Charles Costanza, i cili kohët e fundit mori drejtimin e Korpusit të Pestë, thotë se Rusia përbën një kërcënim afatshkurtër për NATO-n.
“Mendoj se ka pak keqkuptim, se ne kemi kohë dhe se Rusia ka pësuar shumë humbje dhe se do t'u duhet shumë kohë për t’u organizuar. Unë nuk i ndaj këto pikëpamje. Mendoj se duhet të jemi gati në një afat të afërt”.
Zyrtarët ukrainas dhe njoftimet e zbulimit perëndimor thonë se humbjet e Rusisë në Ukrainë kanë qenë të rënda, rreth 50,000 trupa të vrarë në betejë.
Por Gjenerali Costanza thotë se forcat ruse po rindërtohen me shpejtësi dhe ndërsa nuk janë trajnuar aq mirë sa trupat e NATO-s, Rusia ka shtuar numrin e trupave që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.
“Ata janë modernizuar dhe kanë nxjerrë mësime nga lufta në Ukrainë, çka do të përbëjë problem për ne në Perëndim, pasi Ukraina përdor teknika dhe armatime perëndimore. Rusia po mëson se si t’i mposhtë ato”.
Gjenerali thekson nevojën urgjente që NATO-ja të jetë e gatshme. Partnerët polakë pajtohen me vlerësimin dhe shprehim mirëseardhjen për trupat amerikane.
Rusia ka përbërë gjithmonë kërcënim për Poloninë. Komandanti i Divizionit të 11-të të ushtrisë polake, Gjeneral Piotr Fajkowski, thotë se të gjithë aleatët e NATO-s tani e njohin rrezikun që përbën Rusia.
“Kur Rusia pushtoi Ukrainën, asaj i ranë maskat dhe tani dimë gjithçka. Rusia tregon se si mendon, si vepron dhe tani gjithçka është e qartë”.
Gjenerali thekson rëndësinë e vendosjes së trupave amerikane në Poloni si një mjet frenimi.
“Duhet të jemi gati që t'u tregojmë rusëve se jemi të përgatitur dhe nuk kanë asnjë mënyrë për të na sulmuar. Nëse sulmoni madje edhe vendin më të vogël si Letoninë apo Estoninë, ne jemi gati të përballemi me kërcënimin”.
Drejtuesit ushtarakë polakë theksojnë se gjatë historisë dhe për shkak të pozitës gjeografike në zemër të Evropës, vendit të tyre shpesh i është dashur të luftojë i pari. Për këtë arsye, Polonia shpenzon për mbrojtjen pothuajse 4% të prodhimit të brendshëm.
Polonia nxori mësime të dhimbshme nga pushtuesit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dominimit sovjetik që pasoi për vite me radhë.
Ofrimi i mbështetjes për Ukrainën dhe ndihma për trajnimin e ushtarëve ukrainas janë shenja që Polonia ka zgjedhur të vërë në punë mësimet e dala nga luftërat e kaluara për të shmangur mizori të reja./VOA