Ukrainë, ish-presidentët mbështesin protestat

Bota

Ukrainë, ish-presidentët mbështesin protestat

Më: 5 dhjetor 2013 Në ora: 00:18

Tre ish-presidentë të Ukrainës post-sovjetike mbështesin manifestimet anti-qeveritare që po ndodhin aktualisht në vend.

Leonid Kravchuk, Leonid Kuchma dhe Viktor Yushchenko shprehin solidaritet me manifestimet paqësore, sipas faqes së internetit të forcës politike së Yushchenkos.

Dhjetëra mijëra protestues kanë rrethuar institucionet qeveritare në Kiev gjatë ditëve të fundit, të revoltuar nga vendimi i ligjvënësve për të hedhur poshtë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian, kushtëzuar me lirimin e ish-kryeministres së burgosur Tymoshenko.

Sipas opozitës dhe manifestuesve, autoritetet janë duke iu nënshtruar presionit rus, që e konsideron vendin nën sferën e tij të influencës dhe që në këmbim të refuzimit të ofertës së BE-së i ka ofruar Ukrainës pjesëmarrjen në një zonë të tregëtisë së lirë që Rusia ka krijuar së bashku me Bjellorusinë dhe Kazakistanin.

"Ne shprehim solidaritet me protestat civile të qindra mijëra të rinjve ukrainas", shkruhej në deklaratën e përbashkët të tre ish-presidentëve, që gjithashtu dënonin përdorimin e tepruar të dhunës kundër manifestuesve.

Ndërkohë, në një deklaratë të bërë gjatë të mërkurës, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, paralajmëroi NATO-n kundër ndërhyrjes në Ukrainë.

NATO kishte dënuar më parë përdorimin e tepruar të forcës kundër protestuesve pro-europianë në Ukrainë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat