Arrihet marrëveshja për Greqinë, Merkel skeptike se Greqia do të zbatoj marrëveshjen

Bota

Arrihet marrëveshja për Greqinë, Merkel skeptike se Greqia do të zbatoj marrëveshjen

Më: 12 korrik 2015 Në ora: 16:29

(E plotësuar) - Liderët e eurozonës ranë dakord unanimisht për një plan të ri ndihme për Greqinë.

Jean-Claude Juncker është shprehur i kënaqur për marrëveshjen e re me Greqinë, ndërsa Presidenti i Eurogrupit Jeroem Dijssebloem ka deklaruar se marrëveshja do votohet nga Parlamenti grek.

“Marrëveshja do votohet nga Parlamenti grek. Marrëveshja, edhe në Parlamentet e 18 vendeve. Jam i bindur se qeveria greke do t’i kalojë masat”, është shprehur Dijssebloem.

Kurse kancelarja Merkel është shprehur pak skeptike, duke thënë se do të shihet se si Greqia do t’i zbatojë pikat e marrëveshjes.

“Ky program e nxjerr Greqinë nga kriza. Avantazhet, peshojnë më shumë se disavantazhet. Ekzistonte një çështje besimi. Duam të shohim si Greqia do t’i zbatojë. 50 mld euro do të gjenerohen herë pas here për të paguar borxhin dhe kjo do të shtrihet në një kohë të gjatë. Kjo përfshin edhe rikapitalizimin e bankave. E rëndësishme të modernizojmë qeverinë. Duke forcuar administratën dhe strukturën e shtetit, për ta bërë sa më pak politike administratën”, tha Merkel.

Më tej Merkel sqaroi se deri më 15 korrik do të zbatohen 2 parakushte, lidhur me moshën e pensionit dhe TVSH-në.

“Deri në 15 korrik të zbatohen 2 parakushte. Të zbatohen mosha e pensionit dhe TVSH. Procesi i rimëkëmbjes do të jetë i dhimbshëm dhe do të ndodhë pas disa vitesh. Ajo që po ndodh në Greqi, është si në vendet e tjera. Aplikimi i masave në Greqi, më i vështirë. 2.5 mld euro do përdoren për investime në Greqi. Nuk ka nevojë për plan B, vetëm nëse e kërkon Greqia. Situata në Greqi është shumë e vështirë, por ka konsensus. Besimi do të rivendoset shpejt”, tha kancelarja gjermane.

***

Pas 18 orësh bisedimesh në Samitin urgjent të vendeve të Eurozonës duket se më në fund palët kanë arritur një marrëveshje.

Ndërkohë që mediat ndërkombëtare raportojnë se në tavolinë është vendosur një draft-marrëveshje, detajet e të cilës janë ende të panjohura, kryeministri belg, Sharl Mishel, ka postuar në twitter se më në fund ka një marrëveshje!

Në një fundjavë që rrezikoi të ndajë Europën më dysh për shkak të qendrimeve të rrepta dhe më liberale ndaj Greqisë, Kryeministri grek duket se u vendos me shpatulla pas murit dhe ka pranuar ultimatumin e Angela Merkel, François Hollande dhe Donald Tusk, me të cilët është takuar edhe veçmas gjatë dy pushimeve nga punimet e Samitit.

Tsipras duket se ka pranuar disa nga masat më të rrepta fiskale, që iu propozuan në një dokument katërfaqësh hartuar nga Ministrat e Financave të Eurozonës.

Megjithatë, ndërsa në Bruksel zbardhte mëngjesi i të hënës, Kryeministri grek po i rezistonte ende dy pikave: përfshirjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar në programin e ri trevjeçar të shpëtimit, si dhe kërkesës së kontestuar të Gjermanisë për t’i dhënë nën administrim një kompanie të huaj asete shtetërore me vlerë 50 miliardë euro, asete këto që do të shërbenin si kolateral për huatë e reja që do të marrë vendi teksa do të kryejë privatizimet e nevojshme.

Edhe pse ky ultimatum konsiderohet gjerësisht si një dorëzim i sovranitetit të vendit dhe shumë liderë shtetërore nuk kanë më besim te qeveria Tsipras, pa të Greqia do ta kishte të pamundur të mbijetonte dhe kolapsi financiar do të ishte i pashmangshëm.

Greqia dhe Eurozona në udhëkryq. Gjermania skeptike, Franca mbështet planin e Athinës

Mbërritja e liderëve të Eurozonës ka vërtetuar edhe njëherë se një marrëveshje për Greqinë në samitin e lartë, do të jetë po aq e vështirë sa edhe për ministrat e Financave të zonës së euros që nuk munden të arrinin në një konkluzion të përbashkët pas dy ditësh bisedimesh.

“Unë jam këtu, i gatshëm për një kompromis të ndershëm. Ne i detyrohemi të gjithë popujve të Europës të cilët duan një Europë të bashkuar dhe jo të ndarë. Ne mund të arrijmë një marrëveshje sonte në qoftë se të gjitha palët e dëshirojnë atë”, u shpreh Alexis Tsipras.

Kryeministri Tsipras thuhet se para samitit ka pasur edhe një bisedë telefonike me ministrin amerikan të Financave, Jack Leë në telefon, duke shprehur gatishmërinë e tij për të arritur një marrëveshje.
Por, kancelarja Merkel ka vazhduar të njëjtin pozicionim me atë të ministrit gjerman të Financave, duke i quajtur bisedimet për shpëtimin e Greqisë "jashtëzakonisht te vështira" dhe duke përjashtuar një "marrëveshje me çdo çmim".

“Situata është shumë e vështirë. Ne do të kemi diskutime të ashpra sot dhe nuk do të ketë marrëveshje me çdo çmim. Unë e di se gjithçka është në limit. Por, ne duhet të sigurohemi që avantazhet janë më shumë se disavantazhet, si për të ardhmen e Greqisë, ashtu edhe për zonën e euros si një e tërë dhe për parimet e bashkëpunimit tonë”, u shpreh Merkel.

Analistët në Greqi vlerësojnë pozitivisht edhe deklaraten e presidentit te KE-së, Jean Clode Junker që është shprehur se do të luftojë deri në momentin e fundit si dhe të kreut të PE-së, Martin Schulz që ka theksuar se sot vendoset e ardhmja e Europës.

"Sinqerisht nuk mbaj mend të jem ndeshur me një situatë të tillë, si kjo e Greqisë, në të gjithë karrierën time politike europiane. Kjo e gjitha ka të bëjë me Bashkimin Europian. BE-ja duhet të demostrojë që është e aftë të zgjidhë problemet e veta", u shpreh Schulz.

Nga ana e tij, edhe presidenti francez Francois Hollande ka hedhur poshtë idenë gjermane të një Grexit-i të përkohshëm që ka pasur si plan të dytë Berlini dhe mbështetësit e tij.

“Ka ose një Greqi në Eurozonë ose një Greqi jashtë saj. Brenda Eurozonës, me kushte ,nuk ka dhe në një rast të tillë do të kishim një kthim pas dhe nuk do të bënim progres dhe unë nuk e dua këtë”, deklaroi presidenti francez.

Por papritur samiti është ndërprerë për shkak se është kërkuar që Tsipras, Merkel, Hollande dhe kreu i Këshillit të Europës, Donald Tusk, të zhvillojnë bisedime jozyrtare në veçanti.

Sipas burimeve nga Brukseli liderët e Eurozones propozojnë që në fillim Parlamenti grek të votojë dhe aprovojë një paketë me të paktën 12 reforma, midis tyre edhe rikthimin e Trojkës në Athinë dhe më pas të fillojnë negociatat për një paketë të tretë ndihme.

Ndërkohë, kryeministri Tsipras thuhet se ka refuzuar duke propozuar të votohet në Parlament vetëm një pjesë e domosdoshme e reformave.

Athina zyrtare shpreson të paktën në një vazhdimësi të negociatave dhe kjo do të jetë një fitore e parë në atë që është quajtur beteja e Greqisë për të mbetur në Eurozonë, kundër planit gjerman që kërkon ndëshkimin e saj dhe kjo do të konsiderohet fitore edhe për Parisin dhe Romën që po i kundërvihen politikave të muajve të fundit në lidhje me BE-në.

Nderkohë, kryeministri Tsipras tashmë është i vetëdijshëm se që të marrë paketën e ndihmës prej më shumë se 53.5 mld euro duhet më parë që perveç reformave të paraqitura, parlamenti grek të aprovojë edhe disa reforma shtesë që i kanë kërkuar ministrat e Eurozonës.

Ajo që ka qetësuar përkohesisht miliona grekë që ndjekin me ankth zhvillimet e fundit është deklarata e një zyrtari të larte europian që thekson se plani B, ai i daljes së Greqisë nga Eurozona, nuk ndodhet tashmë në tryezën e liderëve të saj, por të gjithë e dinë se është ende shpejt për të thënë se çdo gjë mbaroi pozitivisht.

Ministrat e Financave të Eurozonës ua kalojnë marrjen e vendimit kryetarëve të shteteve dhe të qeverive.

Ministrat e Financave të Eurozonës do t'ua lënë kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve të tyre vendimet kyçe për zgjidhjen e krizës në Greqi. "Një numër çështjesh të rëndësishme janë ende të hapura" - tha shefi i Eurogrupit Jeroen Djsselbloem, sot (12.07.) në Bruksel. Ministrat e Financave të Eurozonës kishin diskutuar dy ditëve për propozimet greke dhe krizën në Greqi.

Merkel: Jo marrëveshje me çdo kusht

Para fillimit të samitit të posaçëm të Eurogrupit për Greqinë kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) theksoi se nuk do të ketë "asnjë marrëveshje me çdo kusht" dhe se bisedimet do të jenë të vështira. Merkel tha se duhet të sigurohet që avantazhet të peshojnë më shumë se disavantazhet - "si për të ardhmen e Greqisë, dhe për Eurozonën si një e tërë dhe për parimet e bashkëpunimit tonë".

Ka humbur monedha më e rëndësishme - besimi

Merkel tha se e di "nervat janë të tendosura" dhe se sipas saj përgjegjësinë e mban qeveria e Athinës. Sipas Merkelit "monedha më e rëndësishme" ka "humbur, dhe kjo është besimi dhe besueshmëria". Prandaj sipas saj "nuk është çudi", që Eurogrupi pavarësisht bisedimeve për orë të tëra nuk do të kërkojë njëzëri hapjen e negociatave me Athinën.

"Ne do të shqyrtojmë nëse ekzitojnë kushtet që të mund të fillojmë negociatat," tha Merkel. Në negociata do të diskutohet për një program të fondit të përhershëm të sigurimit për euron, ESM, për Greqinë, "as më shumë, as më pak." "Nëse kjo do të jetë e mundur, do të shohim."

Shefi i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker u shpreh pak më shumë optimist: "Ne do të punojmë deri në milisekondën e fundit për një zgjidhje," tha ai në Bruksel. "Unë ndihem në gjendje të lartë për të luftuar, dhe shpresoj se ne do të gjejmë një zgjidhje."

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat