Llukshiq: Ftesa e NATO-s, sinjal i mirë për Ballkanin

Bota

Llukshiq: Ftesa e NATO-s, sinjal i mirë për Ballkanin

Më: 2 dhjetor 2015 Në ora: 10:25

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Igor Llukshiq, njëherësh minisistër i jashtëm i këtij vendi, ka vlerësuar se ftesa e NATO-s, është “sinjal pozitiv për gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Këto komente ai i bëri, pasi ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s janë pajtuar për ta ftuar Malin e Zi, që të bëhet anëtare e aleancës.

“Ne e urojmë Malin e Zi”, tha sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në takimin e ministrave të jashtëm në selinë e aleancës veriatlantike në Bruksel.

Zoti Llukshiq ka premtuar se Mali i Zi do t’i vazhdoj reformat, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e sektorit të mbrojtjes.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se thirrja nuk është përfundim i procesit, por fillim i tij”, tha Llukshiq dhe ka shtuar se “ne jemi të përkushtuar për përmirësim të vazhdueshëm dhe punë të palodhsme, jo për t’i kënaqur të tjerët, por për ta ndryshuar shoqërinë tonë për të mirë”.

Mali i Zi, vend me 600 mijë banorë tash bëhet anëtari i 29 i NATO-s.

Zgjerimi i fundit i NATO-s ishte bërë në vitin 2009, kur u pranuan Shqipëria dhe Kroacia.

Rusia, e cila për një kohë të gjatë e ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s, i ka tërhequr vërejtjen Malit të Zi se anëtarësimin në aleancë do ta konsideroj si provokim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat