Cameron i adresohet parlamentit lidhur me ‘Letrat e Panamasë’

Bota

Cameron i adresohet parlamentit lidhur me ‘Letrat e Panamasë’

Më: 11 prill 2016 Në ora: 18:42

(E plotësuar) - Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron ka folur sot para Parlamentit në Londër, lidhur me akuzat se ai dhe babai i tij mund të kenë përfituar nga investimet jashtë vendit, të prezantuara në të ashtuquajturat ‘Letrat e Panamasë’.

Ai tha se dje ka publikuar të gjitha informatat lidhur me kthimin e taksave, jo vetëm për vitin e kaluar, por për gjashtë vitet e fundit. Ai gjithashtu ka publikuar edhe informacione të tjera lidhur me paratë e trashëguara nga familja e tij, në mënyrë që, siç ka thënë Cameron, njerëzit të shohin se nga e ka prejardhjen pasuria e tij.

“Publikimi i informacioneve për taksat e kryeministrit në këtë mënyrë është i paprecedent, por mendoj se kjo është gjëja e duhur për tu bërë. Por, të jem i qartë - unë nuk besoj se kjo duhet të aplikohet edhe te anëtarët e tjerë të parlamentit”, ka thënë Cameron.

Ai ka shtuar se është e drejtë të forcohen ligjet dhe të ndryshohet kultura rreth investimeve, për ta minimizuar dhe dekurajuar shmangien nga tatimet. Por, ka shtuar ai, duhet bërë dallimi mes skemave që dizajnohen artificialisht për t’i reduktuar taksat dhe atyre që inkurajojnë investimet.

Cameron kundërpërgjigjet për "dokumentet e Panamasë"

Kryeministri britanik, David Cameron u kundërpërgjigj ashpër ndaj atyre që ai i quajti pretendime “shumë të dëmshme dhe thellësisht të pavërteta” që lidhen me disa llogari financiare të babait të tij, i cili nuk jeton më.

Zoti Cameron i bëri komentet sot në parlament. Kryeministri britanik vazhdon të jetë nën trysni për shkak se i ati është identifikuar si klient i një firme ligjore panameze, e specializuar për të ndihmuar të pasurit të paguajnë më pak taksa.

Zoti Cameron në fillim refuzoi të thotë nëse edhe ai kishte pjesë në një firmë të themeluar nga i ati në një parajsë fiskale, por më vonë pranoi se i kishte shitur aksionet e tij pak para se të bëhej kryeministër në vitin 2010. Ai tha sot se babai i tij kishte investuar në një parajsë fiskale për qëllime biznesi dhe jo për të shmangur taksat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat