Ushtarët kurdë optimistë në luftën kundër Shtetit Islamik

Bota

Ushtarët kurdë optimistë në luftën kundër Shtetit Islamik

Më: 25 tetor 2016 Në ora: 17:36
ilustrim

Pavarësisht sulmit të fundit të Shtetit Islamik në Kirkuk, ushtarët kurdë në operacionin për të rimarrë Mosulin nga Shteti Isalmik, shprehin optimizëm. Fshatrat e mbajtura nën kontroll nga militantët vazhdojnë të bien. Luftëtarët e ISIS-it lënë pas vend-strehime dhe shtëpi të shkatërruara nga bombardimet dhe mjetet shpërthyese. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, ishte në Kurdistanin irakian, rreth 30 kilometra larg Mosulit, dhe bisedoi me ushtarë dhe refugjatë.

Pranë vijave të frontit në betejën me militatët e Shtetit Islamik, ushtarët peshmerga të rajonit gjysëm-autonom të Kurdistanit irakian ndihen optimistë. Pas pothuasje dy vitesh terrorizimi nga militantët e ISIS-it, ata po shkojnë drejt asaj që shpresojnë të jetë beteja përfundimtare. Sawar Qadar është një prej ushtarëve peshmerga.

“Nuk frikësohemi sepse i dimë taktikat e Shtetit Islamik. Dimë si të futemi në fshatra dhe të çaktivizojmë bombat dhe minat që kanë lënë.”

Por, megjithë fitoret e ditëve të fundit, e ardhmja e operacionit mbetet e paqartë ndërsa këta ushtarë lënë vijat e frontit në Mosul për të mbrojtur dy qytete të tjera të sulmuara të premten.

Ushtarët thonë se një prej vështirësive më të mëdha për të luftuar ISIS-in janë tunelet që përdorin militatët për t’u fshehur apo larguar. Më parë ato qenë tunele me ushqime dhe armë ndërsa tani janë të mbushura me bomba. Kur fshatrat spastrohen nga ISIS-i, njerëzit nuk mund të kthehen nëpër shtëpi sepse në shumë prej tyre janë vënë mjete shpërthyese.

Në këtë kamp, njerëzit që u larguan nga zonat e kontrolluara nga ISIS-i thonë se banorët e Mosulit do të largohen sa më parë kur të fillojë beteja. Një nga të zhvendosurit, Ali, flet për Zërin e Amerikës.

“Tani që ushtria irakiane po sulmon, rreziku është më i madh se kurrë. Është koha më e rrezikshme.”

Ndërsa kampi i refugjatëve ka arritur kapacitetin, punonjësit e ndihmave po përpiqen të ndërtojnë strehimore të tjera, kurse banorët pranë vijave të frontit janë në pritje. Strehimoret nuk janë të mjaftueshme për miliona njerëz që së shpejti mund të bëhen të pastrehë.

Ushtarët thanë për Zërin e Amerikës se militatët e Shtetit Islamik nganjëherë veshin jelekë me eksplozivë duke e bërë të vështirë t’u afrohesh dhe akoma më të vështirë për t’i arrestuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat