Monedha kineze dhe presidenca Trump

Bota

Monedha kineze dhe presidenca Trump

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 21:21
ilustrim

Gati dy vjet pasi inkurajoi kompanitë kineze për të marrë pjesë në blerjet jashtë shtetit, duke trazuar tregjet globale, Pekini është duke u kërkuar tani kompanive të tërhiqen. Për herë të parë, Kina është gjithashtu duke forcuar kontrollin e transfertave të fondeve jashtë vendit në monedhën e saj, juan, ose RMB, duke marrë masa të ashpra për ato që i quan investime "të paarsyeshme".

Analistët kanë thënë se lëvizjet janë, pjesërisht, të planifikuara kundër veprimeve të mundshme nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili ka premtuar të përdorë taktika të ashpra të tregtisë me Pekinin dhe të mos lejojë më Kinën të "vjedhë vende pune amerikane." Trump ka premtuar ta shpallë Kinën një " manipulatore të monedhës "dhe të imponojë një taksë prej 45 për qind për mallrat kineze.

Faktori Trump

Kina po mundohet gjithashtu të mënjanojë një krizë të monedhës që po nxitet nga transfertat masive të fondeve të kompanive të saj jashtë vendit. RMB-ja ka rënë kohët e fundit në nivelin më të ulët në tetë vjet e gjysmë dhe analistët po parashikojnë një ulje të mëtejshme deri në kohën që zoti Trump të marr postin muajin e ardhshëm.

“Kina ka qenë e shqetësuar se çfarë mund të ndodhë me dollarin në kohën që Donald Trumpi bëhet president,” tha Julian Evans-Pritchard, ekonomist me kompaninë Capital Economics në Pekin. “Ajo po kontrollon rrjedhjen e kapitalit si një masë parandaluese.”

Fraser Howie, bashkë-autor i librit “Kapitalizmi i kuq” thotë se ndërsa zoti Trump sigurisht që e komplikon situatën për Pekinin, lëvizja reflekton nevojën e vazhdueshme të qeverisë kineze për të kontrolluar forcat e tregut.

“Shqetësimi për politikë-bërësit kinezë është se tregjet janë përpara tyre” thotë Howie. “Ata duan një monedhë të dobët, por me një rënie të ngadaltë. Ata nuk duan që tregjet t’u tregojnë cfarë të bëjnë.”

Investimet e rreme

Vitin e kaluar, investimet jashtë vendit u rritën në 187 miliardë dollarë ndërsa investimet e huaja u rritën në nivele të ngjashme në vetëm tremujorin e parë të vitit. Kina ka inkurajuar blerjet e huaja për të zgjeruar sferat e saj ekonomike në botë, por autoritetet kanë zbuluar gjithashtu se shumë investime janë fronte për të kanalizuar fondet jashtë vendit.

Investimet nga jashtë janë parë si “investime jo të mira nga firmat kineze në mbarë botën – shkrirja e bakrit, blerjet e kompanive të lojrave elektronike etj. – në sektorë që ata nuk kanë shumë njohuri”, thotë Jacob Kirkegaard, një ekonomist me Institutin Peterson për Ekonomitë Ndërkombëtare.

Sipas një raporti të fundit, të publikuar nga Byroja Kombëtare Kineze dhe Administrata Shtetërore për Këmbimet e Huaja, vitin e kaluar një pjesë e madhe e investimeve nga firmat kineze jashtë vendit shkuan në vende që nuk paguajnë taksa si në Hong Kong, Ishujt Cayman, Bermuda dhe vende të tjera.

Qasja Psikologjike

Regullat e njoftuara vijnë ndërsa vlera e monedhës kineze vazhdon të bjerë. Kohët e fundit ajo është këmbyer me rreth 6.9 juan për një dollar amerikan, por analistët parashikojnë se ajo mund të kalojë pengesën psikologjike të shtatë juanëve për një dollar deri kur zoti Trump të bëj betimin për president pas gjashtë javësh.

Përveç kontrolleve për kredi, qeveria ka urdhëruar bankat të raportojnë çdo transferim fondesh më shumë se 5 milion dollarë dhe të marrin leje nga autoritetet për transfertat mbi 10 milionë dollarë.

Kontrollet janë një ndryshim i thellë nga situata që ka ekzistuar deri muajin e kaluar, kur kompanitë e mëdha shtetërore dhe private lejoheshin të bënin marrëveshje miliarda dollarëshe. Sipas analistëve, kontrollet e shtrënguara synojnë të mbyllin një shteg që i lejonte njerëzit më parë të lëviznin monedhën kineze jashtë shtetit dhe pastaj ta kthyenin atë në monedhë të huaj./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat