SHBA: Bllokohet nominimi i palestinezit për mision të OKB-së

Bota

SHBA: Bllokohet nominimi i palestinezit për mision të OKB-së

Më: 11 shkurt 2017 Në ora: 18:56
Pamje nga një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Shtetet e Bashkuara e kanë bllokuar nominimin e ish-kryeministrit palestinez, Salam Fayyad, për ta udhëhequr misionin politik të Kombeve të Bashkuara në Libi, duke thënë se po vepronte kështu për ta mbështetur aleatin e vet, Izraelin.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, tha mbrëmë se administrata Trump është “e zhgënjyer” duke parë se sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka thënë Këshillit të Sigurimit se synon ta nominoj zotin Fayyad, i cili ishte kryeministër i Autoritetit Palestinez në periudhën 2007-2013, për përfaqësues të ardhshëm special të OKB-së në Libi.

“Për një kohë të gjatë Kombet e Bashkuara në mënyrë jokorrekte anonin në favor të Autoritetit Palestinez, në dëm të aleatëve tanë në Izrael”, tha Nikki Haley.

Palestinezët në Kombet e Bashkuara e kanë statusin e shtetit vëzhgues joanëtar, ndërsa pavarësia e tyre është njohur nga 137 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së.

Ambasadorja Haley tha se Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk e njohin shtetësinë palestineze e as “nuk e mbështesin sinjalin”, që do ta dërgonte nominimi i zotit Fayyad.

Diplomatët në Kombet e Bashkuara thonë se Salam Fayyad është tejet i respektuar për punën e tij në reformimin e Autoritetit Palestinez dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, kështu që e kishte mbështetjen e 14 shteteve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara e kanë shfrytëzuar të drejten e vetos për ta bllokuar nominimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat