Rusia shpërfill seancat për sulmet kibernetike në SHBA

Bota

Rusia shpërfill seancat për sulmet kibernetike në SHBA

Më: 22 mars 2017 Në ora: 20:34
ilustrim

Ndërsa shumica e Shteteve të Bashkuara ndoqën me interes të jashtëzakonshëm dëshmitë në Kongres të dy prej zyrtarëve më të lartë amerikanë të zbulimit lidhur me akuzat për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet amerikane, Kremlini pretendon se ka gjëra më të rëndësishme me të cilat mund të merret.

“Kemi shumë shqetësime në Kremlin dhe debati në fjalë nuk është një prej tyre”, tha zëdhënësi i presidentit, Dmitry Peskov.

“Nuk po dëgjojmë ndonjë të re dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë të re”, tha zoti Peskov, i cili i quajti senacat dëgjimore si “kasetë manjetofoni që përsëritet” dhe të shkakton neveri. “Është një çështje e brendshme amerikane dhe është i njohur qëndrimi ynë me gjithë këtë histeri.”

Gjatë dëshmisë para Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve të hënën, drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) James Comey konfirmoi se agjencia po hetonte përpjekjet ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, përfshirë këtu edhe nëse ndihmësit e fushatës së Presidentit Donald Trump kishin kryer aktivitet kriminal në lidhje me interesat ruse për të ndihmuar zotin Trump që të fitojë.

MOHIMI

Kremlini i ka mohuar akuzat që vijnë nga Uashingtoni. Shtatorin e kaluar Vladimir Putin këmbënguli se “Rusia në nivel shtetëror nuk ka praktikuar kurrë” goditje kibernetike. Ai po ashtu ka këmbëngulur se përmbajtjet e emaileve të hakeruara ishin në shërbim të publikut.

Tetorin e shkuar, zëdhënësi Peskov i quajti të pakuptimta akuzat për hakerimin rus të infrastrukturës kompjuterike të Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC). Pastaj Putini, në konferencën e përvitshme për shtyp në dhjetor, hodhi poshtë pretendimet se hakerat rusë i kishin dhënë informacione fushatës së zotit Trump ose kishin bashkëpunuar me ta gjatë fushatës.

Demokratët që akuzojnë Rusinë për pretendime të tilla, tha zoti Putin “po kërkojnë të gjejnë një fajtor të jashtëm.” Udhëheqësi rus theksoi se kandidatët demokratë humbën ndjeshëm në garat zgjedhore për Kongres dhe Senat. “A kemi ndërhyrë ne edhe këtu?”, shtroi pyetjen udhëheqësi rus.

YAHOO

Javën e shkuar, Kremlini vazhdoi me mohimet, duke mos pranuar akuzat amerikane se agjentë të zbulimit rus ishin përfshirë në hakerimin e miliona emaileve në rrjetin Yahoo. Zëdhënësi Peskov tha se Rusia kishte mësuar nga media për ngritjen e akuzave ndaj agjentëve të saj dhe dy individëve të tjerë dhe se shpresonte që zyrtarët amerikanë të hidhnin dritë së shpejti mbi akuzat.

Peskov shtoi se Rusia nuk ka qënë kurrë e përfshirë në ndonjë hakerim të sponsorizuar nga shteti. “E kemi përsëritur vazhdimisht se nuk mund të diskutohet për ndonjë zyrtar të asnjë zyre ruse, përfshirë Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB), që të jetë i përfshirë në aktivitete të paligjshme kibernetike,” tha Peskov.

Fitorja e zotit Trump në zgjedhjet e nëntorit u përshëndet nga shumë rusë, pas vite marrëdhëniesh thellësisht antagoniste me administratën e Presidentit Obama, si një shans për Shtëpinë e Bardhë të zotit Trump për të bashkëpunuar me Rusinë për një numër çështjesh – përfshirë Sirinë dhe luftën kundër terrorizmit. Madje edhe zbutja e sanksioneve lidhur me ndërhyrjen ruse në Ukrainë u konsiderua brenda sferës së mundësisë. Megjithatë, hetimet e vazhdueshme dhe të pafundme lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane, kanë bërë që zyrtarët rusë të pranojnë rrugën e vështirë që kanë para tyre.

“Dyshoj se do të konsiderojmë seancat dëgjimore si konstruktive në zhvillimin e marrëdhënieve të përbashkëta” , tha Peskov duke folur të martën në Moskë.

Zyrtarët rusë i kanë cilësuar hetimet e Kongresit amerikan si përpjekje nga armiqtë e zotit Trump në Uashington për të minuar thirrjet e presidentit për përmirësimin e marrëdhënieve amerikano-ruse me çdo kusht.

Gjatë konferencës së parë zyrtare për shtypin muajin e kaluar, Presidenti Trump duket se i ka pranuar kufizimet e mundshme nga skandali presidencial për zbutje me Moskën.

“Ndoshta Putin mendon se nuk do të jetë në gjendje të bëjë marrëveshje me mua sepse politikisht përpjekjet për të arritur marrëveshje nuk do të gëzonin popullaritet”, tha zoti Trump. Zyrtarët në Kremlin duket se pajtohen. Ata citojnë hapur postimet e Presidentit Trump për çështjen, duke e quajtur fokusin e vazhdueshëm ndaj Rusisë si “fiksim” dhe “gjueti shtrigash” që të kujton luftën kundër të “kuqëve” të epokës McCarthy-iste gjatë Luftës së Ftohtë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat