Trump komenton për Korenë e Veriut

Bota

Trump komenton për Korenë e Veriut

Më: 1 maj 2017 Në ora: 17:25
Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se ai "nuk do të ishte i kënaqur" nëse Koreja e Veriut do të kryente një provë tjetër bërthamore. Komentet e tij pasojnë provën me raketë me rreze të mesme veprimi të Phenianit javën e kaluar.

Gjatë një një interviste të transmetuar të dielën në emisionin "Face the Nation" të kanalit televiziv CBS, presidenti tha se as ai dhe as presidenti kinez Xi Jinping nuk do të ishin të kënaqur nëse udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un do të bënte një provë të gjashtë bërthamore. Por presidenti Trump kundërshtoi idenë se Kina, aleati më i afërt i Koresë së Veriut, po shfrytëzon krizën për ta vënë atë në provë. ((34))

"Kurrë nuk mund të jeni i sigurt për një gjë të tillë, apo jo? Por unë kam ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë (me udhëheqësin kinez), nuk mendoj se ata duan të shohin një Kore të Veriut të destabilizuar. Ata sigurisht që nuk duan të shohin një fqinj të tyre me armë bërthamore. Kjo nuk u ka pëlqyer atyre për një kohë të gjatë, por do të shohim se ç’do të ndodhë".

Koreja e Veriut, e cila po përpiqet të zhvillojë një raketë me rreze të gjatë veprimi që mund të godasë Shtetet e Bashkuara, 9,000 kilometra larg brigjeve të Gadishullit Korean, zhvilloi një provë të re raketore të shtunën. Koreja e Jugut tha se edhe kjo provë e Phenianit dështoi.

Prova me raketë erdhi vetëm disa orë pasi Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për "pasoja katastrofike" në qoftë se bashkësia ndërkombëtare dhe sidomos Kina nuk ushtrojnë trysni mbi Korenë e Veriut që ajo t’u japë fund programeve të saj për armët bërthamore.

Presidenti Trump e përshkroi udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un si "njeri goxha i zgjuar", por tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta lejojnë Korenë e Veriut të prodhojë armë bërthamore dhe fajësoi administratat e mëparshme amerikane për mostrajtimin e ambicieve ushtarake të Phenianit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat