Grupet e të drejtave të njeriut hedhin poshtë pretedimet ruse për Alepon

Bota

Grupet e të drejtave të njeriut hedhin poshtë pretedimet ruse për Alepon

Më: 15 qershor 2017 Në ora: 20:32
ilustrim

Grupet e të drejtave të njeriut kanë kundërshtuar pretendimet e Rusisë se Alepo është "çliruar" nga terroristët dhe ekstremistët e lidhur me grupin Jabhat al-Nusra (al-Kaida), duke akuzuar forcat ruse dhe siriane se bombardimi i qytetit të dytë më të madh të Sirisë nga ana e tyre ka çuar në rënien e tij.

Në përkujtimin e gjashtë mujorit të asaj që Moska e quajti "çlirimi i Alepos", misioni rus organizoi të mërkurën një konferencë në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut të quajtur "Aleppo: Qyteti i Lirë nga Terrori, Jeta e Re, Shpresat e Reja", ku dha versionin rus të ngjarjeve që ndodhën në këtë qytet.

Moska është kritikur nga bashkësia ndërkombëtare për mbështetjen që i ka dhënë regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad dhe për aleancën e saj me forcat ajrore siriane në bombardimet e vazhdueshme të Alepos lindore, të cilat dëbuan rebelët jashtë qytetit. Një numër i madh civilësh u vranë dhe u plagosën gjatë këtij operacioni ushtarak.

Në hapje të konferencës, ambasadori rus Alexey Borodavkin tha se është e rëndësishme që bota "ta njohë të vërtetën rreth këtyre ngjarjeve" dhe të jetë e informuar mbi mënyrën se si po ndryshon jeta në Alepo.

"Ne të gjithë e kuptojmë dhe ne të gjithë e kujtojmë se kur Alepoja lindore po çlirohej nga Al-Nusra dhe grupe të tjera radikale, disa prej mediave botërore, me ndihmën e mbështetësve terroristë, shpërndanë lajme të rreme në internet mbi situatën. Një numër i madh shtetesh dhe organizatash ndërkombëtare u bënin jehonë dhe shpërndanin ato lajme të rremë," tha Borodavkin.

Për të nxjerrë në pah hipokrizinë e supozuar të mediave perëndimore, në konferencë u shfaq një video e drejtpërdrejtë nga Aleppo e Omran Daqneesh-it, një djal i ri sirian i cili u bë simbol mbarëbotëror i konfliktit në Siri, kur një fotografi e fytyrës së tij të mbuluar me pluhurin dhe hirin e shkaktuar nga bombardimet u shfaq në mediat botërore.

Në video shihet Omrani, një djal i lumtur dhe i shëndetshëm, i ulur në prehërin e babait të tij, i cili ka kritikuar mediat dhe ka thënë: "Dua që djali im të bëhet simbol i paqes".

Në mesin e pjesëmarrësve në këtë konferencë ishin disa zyrtarë ushtarakë rusë, të cilët folën gjerësisht për angazhimin humanitar të ushtrisë ruse, si ngritjen e kuzhinave ushqimore, spitaleve dhe ofrimin i shërbimeve mjekësore për banorët e Alepos.

Ata folën për punën që ata po bënin në ringjalljen dhe rehabilitimin e qytetit, duke e bërë të sigurt për njerëzit e zhvendosur në mënyrë që ata të kthehen në shtëpitë që i braktisën gjatë konfliktit.

Ushtarakët rusë nuk flisnin për rolin e tyre në konflikt. Ata portretizuan veten si paqebërës, si humanistë dhe si çlirimtarë të Alepos.

Drejtori i komunikimit për Lindjen e Mesme në organizatën Human Rights Watch, Ahmed Benchemsi, nuk u bind nga këto fjalime dhe argumente.

Ai i tha Zërit të Amerikës se fjala çlirim u përdor në kontekstin politik dhe se ai nuk ishte i sigurt se çfarë kuptimi e kishte në këtë konferencë.

"Kjo fjalë nuk duket e drejtë kur mijëra civilë janë bombarduar ose kanë vdekur nga uria e shkaktuar nga të ashtuquajturit çlirimtarë", thotë Benchemsi. "Pjesa lindore e Alepos ishte nën kontrollin e grupeve të armatosura të opozitës për katër vjet dhe në shenjë hakmarrjeje, qeveria siriane bombardoi civilët, duke përfshirë shkollat dhe spitalet, ajo përdori armët ndaj të gjithëve pa diskriminim dhe pastaj forcat ajrore ruse u bashkuan me ata. Rusët vunë në shënjestër civilët. Pra, këto gjëra quhen shkelje të ligjeve të luftës, ose krime lufte, e jo akte çlirimtare."

Pjesëmarrësit në konferencë fajësuan terroristët për shkatërrimet, vrasjet dhe plagosjet në Alepo.

Askush në konferencë nuk përmendi sulmet ajrore të kryera nga Siria dhe aleati i saj rus përveç Marinella Corregia-s, një aktiviste paqeje dhe studiuese në “Rrjetin e Jo-Luftës” në Romë, e cila dënoi organizatat joqeveritare lokale për ushqimin e gënjeshtrave rreth Rusisë dhe Sirisë në mediat perëndimore dhe organizata joqeveritare ndërkombëtare.

"Pretendimet se Siria dhe Rusia qëllimisht po bombardonin spitalet vazhduan me vite, jo vetëm me muaj. Kishte gjithashtu shumë akuza për bombardime të dyqaneve të bukës. Pse? Pse dikush duhet të bombardojë një dyqan buke, për të ngritur popullatën kundër qeverisë?"

Corregia tha se kishte ardhur koha për të thyer këtë "rreth vicioz të gënjeshtrave".

Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, i tha Zërit të Amerikës se ka dëshmi të besueshme se spitalet dhe objektet e tjera mjekësore janë goditur qëllimisht.

"Ne kemi parë një numër të paprecedentë të sulmeve ndaj objekteve mjekësore, përfshirë objektet mjekësore të improvizuara. Madje ka patur sulme edhe ndaj personelit mjekësorë pavarësisht se cilën palë po trajtonin ata, njerëzit e opozitës apo ata që bashkëpunonin me forcat siriane."

"Ne kemi parë shumë sulme," thotë ajo. "Dhe, po, ekziston një detyrim sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare që spitalet dhe objektet mjekësore kanë një status të veçantë mbrojtjeje. Dhe sulmet ndaj spitaleve ose përdorimi i tyre si objekte ushtarake, përbën krim lufte", tha ajo./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat