Trump, Moon, të vendosur ndaj ambicjeve bërthamore të Phenianit

Bota

Trump, Moon, të vendosur ndaj ambicjeve bërthamore të Phenianit

Më: 1 korrik 2017 Në ora: 15:08
Trump, Moon

Në krye të rendit të ditës në takimin mes presidentit Trump dhe homologut të tij koreanojugor Moon, ishte përgjigja ndaj ambicjeve bërthamore të Koresë së Veriut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës për Shtëpinë e Bardhë, Steve Herman, njofton se në takim u diskutuan edhe marrëdhëniet tregtare midis Uashingtonit dhe Seulit.

Duke qëndruar së bashku me presidentin e Koresë së Jugut në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, presidenti Donald Trump foli rreth rrezikut të, sipas tij, “regjimit të papërgjegjshëm dhe brutal” të Koresë së Veriut, duke shtuar se duhet një përgjigje e vendosur për programet koreanoveriore të armëve bërthamore dhe raketave balistike.

“Epoka e durimit strategjik me regjimin e Koresë së Veriut ka dështuar. Ka shumë vite dhe ka dështuar, dhe sinqerisht, durimi ka mbaruar” tha presidenti amerikan.

Presidenti Moon, i cili sapo mori detyrën në fillim të muajit maj, mban hapur mundësinë e rikthimit në bisedime me Korenë e Veriut, ndërkohë që mbështet vazhdimin e sanksioneve kundrejt Phenianit.

“Çështja bërthamore e Koresë së Veriut duhet të zgjidhet pa asnjë problem. Koreja e Veriut nuk duhet të nënvlerësojë angazhimin e vendosur të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim. Unë gjithashtu i bëj thirrje Phenianit që të kthehet menjëherë në tryezën e negociatave për denuklearizimin e gadishullit Korean”.

Për sa u përket çështjeve ekonomike, presidenti Trump i shprehu qartë presidentit Moon antipatinë e tij për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë mes Koresë dhe Shteteve të Bashkuara, të miratuar gjatë administratës Obama.

“Ne po negociojmë një marrëveshje tregtare tani me Korenë e Jugut dhe shpresojmë se do të jetë një marrëveshje e barabartë – do të jetë një marrëveshje e mirë për të dyja palët. Ishte një marrëveshje e pabarabartë për Shtetet e Bashkuara, por unë mendoj se do të jetë shumë ndryshe dhe do të jetë e mirë për të dyja palët” tha presidenti Trump.

Zyrtarët e administratës, duke sqaruar komentin e presidentit, thonë se një komision i posaçëm i përbashkët do të fillojë rinegociimin dhe ndryshimin e marrëveshjes.

Shtëpia e Bardhë dëshiron të reduktojë një deficit tregtar në favor të Koresë së Jugut që është rritur në më shumë se 27 miliardë dollarë që kur u miratua marrëveshja e tregtisë së lirë në vitin 2012./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat