Përshkallëzohet situata në Bregun Perëndimor, 34 të lënduar – reagojnë liderët botërorë

Bota

Përshkallëzohet situata në Bregun Perëndimor, 34 të lënduar – reagojnë liderët botërorë

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 13:55
Bregu Perëndimor

(E plotësuar) - Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Betlehem pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump që ta njohë Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, veprim ky që ka nervozuar tej mase Lindjen e Mesme.

Palestinezët kanë dalur nëpër të gjitha rrugët kryesore duke hedhur gurë dhe mjete tjera të forta në drejtim të trupave izraelite, të cilët si kundërpërgjigje kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Deri më tani ekipet e ndihmës së shpejtë kanë dërguar në spital mbi 34 të lënduar nga të shtënat e ushtrisë izraelite me të cilët u përleshën në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës, Nablus, Jenin dhe Ramallah.

Në Hebron dhe Al-Bireh, mijëra demonstrues kanë marshuar me sloganin “Jerusalemi është kryeqyteti i shtetit të Palestinës”, kanë bërë të ditur dëshmitarë të shumtë.

Kjo dhunë shpërtheu pas vendimit të parit të Shtëpisë së Bardhë për ta njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, vendim ky që ndryshoi politikën amerikane shumëvjeçare karshi kësaj zone, derisa Hamasi ka paralajmëruar se do nuk do të qëndroj duarkryq kundër Izraelit.

Frika nga eskalimi i situatës në këtë regjion, vjen pasi grupi islamist ka paralajmëruar presidentin amerikan se me këtë veprim ka hapur “portën e ferrit”, ku gazeta pro lëvizjes se Hezbollahut në Leban i ka shpallur “SHBA-ve luftë deri në vdekje”.

Ndërkaq, sot presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka akuzuar presidentin Trump se po e fut Lindjen e Mesme në “unazën e zjarrtë”. Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara i kanë “hequr siguresën bombës që është gati të shpërthej në këtë rajon”.

Rusia gjithashtu ka reaguar lidhur me vendimin e Trumpit, duke thënë se kjo lëvizje do të ketë “pasoja serioze” për të cilat do të ngrit këtë çështje në KS të OKB-së. Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë, Boris Johnson e ka përshkruar situatën si “me pak shpresa” derisa Franca zyrtare ka refuzuar vendimin “unilateral”. Lidhur me këtë ka reaguar edhe Gjermania. 

Image

***

Një gazetë pro lëvizjes islamike Hezbollah në Liban i ka deklaruar “luftë deri në vdekje Amerikës” në faqen e parë të saj, ku shfaqet edhe një foto me flamurin amerikan duke u djegur, një ditë pasi Donald Trump njohu zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Presidenti amerikan shkaktoi irritim anembanë Lindjes së Mesme me njoftimin e një dite më parë, që përbën edhe një ndryshim drastik të politikës disa dekadëshe amerikane kundrejt Jeruzalemit.

Gazeta libaneze “al-Akhbar” e quan sot vendimin “Balfurin e ri të Amerikës”, duke iu referuar “Deklaratës së Balfurit”, në të cilën Britania e Madhe përcaktonte ngritjen e një shteti për hebrenjtë në Lindjen e Mesme thuajse një shekull më parë.

“Sot në Palestinë ekziston një rezistencë e aftë dhe e fuqizuar që zotëron mijëra raketa që mund të godasin Tel Avivin”, thuhet më tej në artikull. Hezbollahu, një organizatë e armatosur rëndë ushtarake dhe politike, ka luftuar përgjatë vitesh disa herë ndaj Izraelit, që prej krijimit të saj në vitin 1982.

Protesta spontane nisën në Rripin e Gazës gjatë orëve të natës së djeshme, me disa të rinj të irrituar që digjnin goma makinash, flamuj amerikanë dhe izraelitë, si dhe postera të Trumpit, ndërsa frika sa vjen e rritet për gjakderdhje të reja në rajonin e trazuar.

Ushtria izraelite ka njoftuar se do të dërgojë disa batalione në Bregun Perëndimor përpara së premtes, ndërsa trupa të tjera ushtarake do të jenë në gatishmëri për të adresuar “çdo zhvillim të mundshëm”.

E ndërsa ushtria izraelite njoftoi dislokimin e trupave shtesë në Bregun Perëndimor, protesta masive kanë shpërthyer në territorin palestinez në kundërpërgjigje të lëvizjes së fundit të Trumpit. Palestinezët nisën greva në të gjithë Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Rripin e Gazës që prej së enjtes, ndërsa këtë të premte, pas lutjeve të mesditës kanë nisur edhe protesta të dhunshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat