Me dygolëshin e tij i ka dhuruar fitoren Anglisë kundër Tunizisë. Harry Kane është lideri i ri i “Tre Luanëve”, duke gjetur golin në katër ndeshjet e fundit që ka luajtur me kombëtaren, ecuria e tij më e mirë me Anglinë.
Ai ka shënuar 15 gola në 25 ndeshje me përfaqësuesen, por nuk janë vetëm shifrat ato që e projektojnë mes më të mirëve të futbollit botëror.
Kemi të bëjmë me një sulmues të kompletuar, i cili ka një nuhatje të jashtëzakonshme për golin. Dhe duket se nuk e ndien kurrë presionin. Nëse marrim parasysh kartën e tij të identiteti, nuk do të ishte një ekzagjerim të konsiderohej qendërsulmuesi më i mirë në planet.
“Mund të na kishin dhënë dy penallti, – kanë qenë fjalët e tij pas fitores me Tunizinë, – edhe pse ajo që i dhanë atyre nuk ka qenë shumë bindëse”.
“Na kanë mbajtur gjatë gjithë kohës në goditjet nga këndi, nuk na linin të lëviznim. Goli im në fund ka vënë drejtësinë në vend. Kemi luajtur shumë mirë, veçanërisht në fillim, por mund të kishim shënuar më shumë”.
“Të shënosh një dygolësh në Botëror është një ndjesi unike, akoma më shumë kur ndihmon ekipin të fitojë”.